Shtëpia e Abdyl Cakollit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2020-2021



Historiku


Në fshatin Krilevë, komuna e Dardanës (Kamenicës), gjendet shtëpia e Abdyl Cakollit. Kjo shtëpi është ndërtuar kah fundi i shek. XIX. Arkitektura dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpie dëshmojnë kulturën e banimit të shqiptarëve në atë kohë. E ndërtuar në kodrinën e lagjes së sipërme të fshatit kjo shtëpi ka një pozitë gjeografike me pamje të shkëlqyeshme të terrenit. Shtëpia i ka dy etazhe. Përdhesja është e ndërtuar nga guri vendor me trashësi të mureve prej 70 cm, të përforcuara me breza horizontale druri në tri nivele. Muret e katit të parë janë të punuara nga tulla të pjekura, të përforcuara me shtylla vertikale, horizontale dhe të pjerrëta të drurit në stilin “bondruk”. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla të vjetra – qeramidhe. Shtëpinë e rrethonin edhe objekte të tjera përcjellëse si: hambari, qilari, koshi, plemja, pojata për bagëti të imëta, pusi etj. Hyrja kryesore e shtëpisë është në fasadën lindore të saj. Përmes korridorit bëhet lidhja me shtëpinë e zjarrit dhe me ahurin. Shtëpia e zjarrit kishte oxhakun, ndërsa në mure anash ishin ndërtuar dollapët për vendosjen e enëve. Ahuri e kishte hyrjen e vet të veçantë për hyrjen e kafshëve nga ana jugperëndimore. Përmes shkallëve të drurit në korridorin e përdheses bëhet lidhja vertikale me katin e parë. Në katin e parë përmes korridorit bëhet lidhja me katër dhomat e gjumit dhe me çardakun e shtëpisë. Dhomat janë mjaft të mëdha dhe me ndriçim e pamje shumë të mirë. Dy prej dhomave ishin të pajisura me hamame të vogla. Nevojtorja ishte jashtë shtëpisë bashkë me objektet e tjera përcjellëse. Çardaku i shtëpisë gjendet në anën jugperëndimore, ndërsa nën të në përdhese gjendej kthina që shërbente si kotec i pulave. Brendia e shtëpisë nuk është e ruajtur mirë pasi që shtëpia nuk përdoret më për banim. Mënyra dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, si dhe origjinaliteti i ruajtur, i japin kësaj ndërtese vlera të larta arkitektonike. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: shtëpia e Abdyl Cakollit duhet të mbetet pjesë e LTKMP. Objekti është rinovuar dhe financuar nga MKRS në bashkpunim me QRTK- Gjilan në vitin 2015, dhe se ka gjendje shumë të mirë nga jashtë.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000828


Emri: Shtëpia e Abdyl Cakollit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Gjilan



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Kamenicë


Qyteti/Fshati: Krilevë


Lokaliteti: Krilevë


Kodi Postar: 62000


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX