Kulla e Avdullah Pashë Drenit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014
Historiku
Kulla e Avdullah Pashë Drenit gjendet në hyrje të Çarshisë së Madhe, në afërsi të cilës ndodhen edhe Lapidari i Lidhjes së Prizrenit, Teqeja e Sheh Eminit, Shtëpia e Sulejman Vokshit, Kulla e Koshit, Varri i Maxharr Pashës, që përbëjnë një ansambël të çmuar të trashëgimisë kulturore. Kjo kullë supozohet të jetë ndërtuar në vitin 1790 dhe ka shërbyer si shtëpi banimi dhe fortifikatë (këtë e dëshmon numri i madh i frenxhive në të tre katet e kullës). Kulla simbolizon një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re shqiptare. Personat më të rëndësishëm të kësaj ngjarjeje kanë qenë Avdullah Pashë Dreni, anëtar proturk i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe Maxharr Pasha, komandant turk. Kulla gjatë kohës së RSFJ ka funksionuar si muze regjional. Kjo kullë posedon vlera të mëdha arkitektonike. Materiali dhe teknika e ndërtimit përbëhet nga gurët natyralë dhe tullat e pjekura. Kulla posedon dritare të shumta, kryesisht të vogla për nga ndërtimi, po ashtu posedon numër të madh të frenxhive që do të thotë se kulla përpos që ka shërbyer për banim ajo ka shërbyer edhe si fortifikatë. Kjo kullë ka tri kate, përdhesja është e ndërtuar prej gurëve, ndërsa katet tjera janë të ndërtuara nga tullat e pjekura.