Kulla e Sylë Rexhës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Kulla e Sylërexhëve – Vranoc, Pejë Në qendër të fshatit Vranoc, i cili dikur ishte qendër e Bajrakut të Lugut të Baranit, është kulla trekatëshe(sipas njehsimit popullor) e familjes së Sylërexhëve, e ndërtuar në shek.XVIII. Kulla si objekt banimi u realizua tërësisht me gurë lumi nga mjeshtër popullor dibran në bashkëpunim me mjeshtrit nga familja e SylëRexhës. Si arkitekturë, ndërtimi i takon tipit të kullave me dyshekllëk guri, që shtrihet tërësisht në gjithë ballin, dhe pjesërisht në dy muret anësore. Fasadat e murosura me gurë, kufizohen me kënde nga guri i latuar. Për nga pikëpamja funksionale kulla ka tri nivele me funksione sipas radhës: ahuri, odat e familjes dhe më se larti oda e burrave. Shquhet me një artikulim të qartë kompozicional, ngase hapjet harkore të madhësive të ndryshme për ndriçim sa vijnë e shtohen, ato përsëriten sipas skemës funksionale të brendshme. Nga konturi i kullës dalin jashtë në formë anëcaku vetëm dyshekllëku dhe nevojtorja nga guri, të cilat paraqiten si dy elemente të baraspeshuara. Ndërtesa ka çati katërujore, të mbuluar me tjegulla tradicionale. Karakteristike për gjendjen burimore të kësaj kulle ishte shkalla e lartë e ornamentimit të gurëve, pra dekoracione të plastikës së imët. Kulla e Sylërexhëve ka vlera historike ngase aty kanë frekuentuar personalitete të shquara të kombit, bashkëveprimtar të Sylë Rexhës së Vranocit, e aktivist të LKSH si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Haxhi Zeka , ku kontribut të shquar dha edhe vet Sylë Regja. Ky monument poashtu pasqyron edhe vlera arkitektoniko-artistike, si në aspektin e eksterierit, gjithashtu edhe në interier, të realizuara mjeshtërisht nga mjeshtrit popullor. Sikundër që përmban edhe vlera shoqërore e shpirtërore ngase në kronologji kohe ishte vendtakim i vazhdueshëm i ngjarjeve dhe figurave të mëdha kombëtare. Kulla e Sylrexhëve në Vranoc të Pejës është ndër shembujt më të mirë se si duhet ruajtur kulla. Përballë saj gjendet edhe Kulla e Ali Bajraktarit kështu që si tërësi formojnë një kompleks mjaft atraktiv. Në Rrafshin e Dukagjinit kemi disa kulla të këtij lloji, por i ndeshim rrallë. Në aspektin e ruajtjes së autenticitetit kemi të bëjmë me një ekzemplar mjaft të ruajtur dhe integriteti të pa cenuar. Monumenti është djegur gjatë luftës së vitit 1998/99, dhe restaurimi është bërë në periudhën kohore 2006-2009.