Ndërtesa e Kuvendit të vjetër - Beledije
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Ndërtesa e Beledies - Kuvendit është ndërtuar në lagjen Tabakhane në shekullin XIX-të dhe ka shërbyer si Komunë për autoritetet Osmane në Prizren. Gjendet në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit, në bregun verior të Lumbardhit. Ndërtesa ka planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në kat. Karakterizohet me trajtim të pasur të fasadave me dekorime të plastikës murale me elemente të stilit Barok. Fasada ballore, ajo kah rruga mbi derën hyrëse e ka ballkonin e rrethuar me gardh të hekurt. Enterieri karakterizohet me elemente të drugdhendjes, në shtyllat e punuara, parmakët e shkallëve dhe tavanet. Vlen të përmendet tavani në dhomën kryesore të katit, i punuar me drugdhendje dhe i dekoruar me piktura murale me motive florale. Në anën veriore të ndërtesës gjatë shekullit XIX rridhte përroi dhe pranë tij ishte ndërtuar kroi i gurit “Beledije”. Me rastin e ndërtimit të aksit rrugor ky krua është dislokuar në sheshin e Dëshmorëve. Në vitet 2010/2011 me donacione nga Bashkimi Evropian Zyra në Kosovë, bëhet restaurimi i tërësishëm i objektit me ç’rast objekti shndërrohet në Qendër e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan. Krahas qendrës së trajnimeve, në këtë ndërtesë gjendet edhe Zyra Turistike e Informimit për qytetin e Prizrenit. Ndërtesa e Beledies paraqet një shembull unik të një ndërtese publike, administrative të ndërtuar gjatë shek. XIX dhe si e tillë ka vlerë të lartë historike, artistike dhe shoqërore.