Kulla e Ali Bajraktarit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012



Historiku


Kulla e Ali Bajraktarit Në qendër të fshatit Vranoc , në kuadër të kompleksit të kullave gjendet kulla e atdhetarit të çështjes kombëtare shqiptare Ali Bajraktarit, e cila daton nga gjysma e dytë e shek. XVIII. Ky ndërtim trekatësh (sipas njehsimit popullor) pos vlerës arkitektonike, etnografike posedon edhe rëndësi të veçantë historike. Ndërtimi është realizuar me gurë të latuar, gur lumor të lidhur me llaç dhe me dru. Me kulm nga konstruksioni i drurit, çati katërujore mbuluar me tjegulla tradicionale. Monumenti i takon tipit të Kullave me dyshekllëk të gurit që del nga muri perimetral në pjesët anësore të dy fasadave. Karakteristikë e kësaj kulle është streha, e cila është e punuar nga tri shtresa guri. Dritaret e Kullës me korniza druri, kanë profile të gurit të latuar me formë harkore, përderisa edhe kornizat e dyerve kanë formë dhe material të njejtë, kapakët e dyerve nga druri janë të gdhendur dhe të punuar me figura gjeometrike të kultit. Kulla me bazë katërkëndëshe kishte funksion të banimit dhe shtrihej në tri etazhe. Planimetria e bazës së përdhesës është në formë drejtkëndore me dimensione. Qasja në monument bëhet përmes portës hyrëse nga guri i latuar, me formë gjysmëharkore. Kati përdhesë është hapsire e lirë shumfunksionale, e cila në të kalurën është shfrytëzuar për ahur kafshësh. Komunikimi me kat realizohet me ndihmen e shkallëve, të cilat vazhdojnë edhe në katin e parë duke krijuar lidhjen me katin më të lartë. Kati i parë në shtrirjen kompozicionale kishte oden e zjarrit, korridorin dhe dhomat e gjumit, ndërkaq në katin e dytë krahas korridorit gjenden edhe oda e burrave dhe divahanja. Oda e burrave dhe divahanja, sikundër edhe i gjithë interieri i kullës kanë pësuar transformime, ku janë shtuar dekoracionet e drurit, ornamentet të cilat shtojnë aspektin estetiko-artistik të këtyre hapësirave. Bashkangjitur me objektin është edhe porta hyrëse e kullës e punuar me gurë të latuar e mbuluar me strehë dhe tjegulla, që përbëhet nga dera kryesore gjysmë harkore dhe porta e madhe për qerre po ashtu me hark . Gjatë luftës së fundit kulla u dogj. Mirëpo në vitin 2004 duke parë rëndësinë kulturo-historike kulla u restaurua nga MKRS e Republikës së Kosovës. Kulla tani pranon vizitor dhe vizitohet nga një numër i konsiderueshëm njerëzish.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000590


Emri: Kulla e Ali Bajraktarit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Pejë


Qyteti/Fshati: fshat Vranoc


Lokaliteti: Vranoc-Pejë


Kodi Postar: 30000


Emri i rrugës: Fshati Vranoc



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVIII