Shtëpia e familjes Rekathati

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2015-2016



Historiku


Shtëpia e familjes Rekathati gjendet në lagjen “Bazhdarhane”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Shtëpia është ndërtuar në fund të shekullit XIX, ndërsa sipas mbishkrimit mbi hajat, fasada ballore është e rregulluar në vitin Hixhri 1321(1903). Shtëpia ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Muret e katit përdhese dhe të bodrumit, me trashësi 90 cm, me lartësi deri 200 cm, janë të ndërtuara prej gurësh. Muret e katit supozohen të jenë të ndërtuara me sistemin “bondruk”, të mbushur me qerpiçë, të lidhur me llaç balte, ku trashësia e mureve mbajtëse është deri 50 cm, ndërsa muret ndarëse deri 20 cm. Konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Kulmi është katërujor, i mbuluar me tjegulla të reja të luguara, ku gjendet edhe baxha. Konstruksioni i kulmit është i punuar prej druri. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe, është dykatëshe në formë simetrike, me hajat në përdhese. Në eksterier veçohet fasada ballore, e kthyer kah oborri, e punuar sipas stilit neoklasik, me disa zbukurime në forma të ndryshme gjeometrike. Në enterier akoma ruhen enë dhe orendi origjinale të kohës me vlera arkitektonike-artistike. Këtu gjenden pajisjet e paluajtshme: tavanet dekorativë, dollapët prej druri me pjesën e epërme të zbukuruar, jyklykët, shkallët prej druri, raftet, oxhaku, banja etj. si dhe pajisjet e luajtshme: orë muri, orë dore, qypi prej dheu, tespihet, legen e ibrik dhe tangari prej mesingu, enët, legeni e ibriku, pajisje për nxehjen e ujit në banjë dhe kazani prej bakri, arka nga druri e nuseve, çelësi origjinal i shtëpisë etj. Sot shtëpia akoma është e banueshme. Ajo bashkë me oborrin janë të ndara në mes me anë të murit dhe kanë dy pronarë. Oborri është i shtruar me kalldrëm, ku gjendet jazi, i cili sot nuk funksionon. Gjatë vitit 2014 në kuadër të programit “Ndërhyrjet Emergjente” të mbështetura nga Minsitria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ CHwB, Kosova, janë bërë ndërhyrje emergjente në këtë shtëpi, me ç’rast është bërë restaurimi i konstruksionit të kulmit dhe mbulesës dhe lyerja dhe trajtimi i fasadës ballore.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000570


Emri: Shtëpia e familjes Rekathati


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Lagjja “Bazhdarhane”


Kodi Postar:


Emri i rrugës: “Ali Pashë Elbasani”



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX