Selamllëku i Shani Efendiut
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Selamllëku i Shani Efendiut gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në lagjen e “Farkëtarëve”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Ndërlidhet me shtëpinë e Shani Efendiut që ndodhet pranë selamllëkut, sepse të dy objektet i kanë takuar një pronari, ndërkaq sot kanë pronarë të ndryshëm. Selamllëku gjendet pranë kinemasë, teqesë së radhës Halveti, dyqaneve të vjetra dhe Urës së Gurit. Selamllëkun e ndërtoi Shani Efendiu në fund të shekullit XIX dhe prej asaj kohe ka shërbyer për pritjen e miqve. Pas Luftës së Dytë Botërore kaloi në pronësi të briskpunuesit Ali Shilik. Atij i shërbeu për banim, ndërkaq njëri prej dyqaneve në katin përdhese i shërbeu si dyqan i briskpunuesve. Kati përdhese është i ndërtuar prej gurësh, ndërsa kati prej qerpiçëve. Kulmi është i mbuluar me tjegulla të luguara. Selamllëku është dykatësh, i ndërtuar në formë asimetrike të tipit me qoshk. Është i kthyer kah rruga dhe qasja në kat realizohet nga jashtë me anë të shkallëve. Në katin përdhese gjenden katër dyqane. Në kat gjenden dhomat dhe dy qoshqe, të cilat dalin jashtë volumit të dy fasadave. Këto qoshqe i japin një pamje karakteristike selamllëkut. Në enterier ruhen dyert, dritaret dhe tavanet prej druri. Në vitet 2013-2014 me mbështetjen e Ambasadës Amerikane janë kryer ndërhyrje restauruese në ndërtesë, me ç’rast është bërë restaurimi i strukturës së mureve, konstruksionit meskatësh, konstruksionit të kulmit, zëvendësimi i dritareve dhe dyerve dhe rehabilitimi i përgjithshëm i ndërtesës. Përdhesa shfrytëzohet për aktivitete komerciale, ku gjendet lokali që ende vazhdon të ushtroj veprimtarinë e briskagjiut, zyra e informimit për turistë dhe një lokal tjetër afarist. Kurse kati, pas restaurimit ka filluar të banohet nga pronarët. Selamllëku me objektet përreth janë potencialë për zhvillim ekonomik, të turizmit, të trashëgimisë dhe të atij kulturor.