Shtëpia e Ymer Prizrenit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Shtëpia e Ymer Prizrenit gjendet në pjesën juglindore të qytetit, në zonën e qendrës historike të Prizrenit. Gjendet në lagjen e “Rahlinit”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Në afërsi të shtëpisë gjendet shtëpia tradicionale e Mustafë Drinit, shtëpitë e tjera për banim si dhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shtëpia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe e ndërtuar në kat, në formë asimetrike. Qasja mundësohet nga rruga përmes derës hyrëse apo portës hyrëse prej druri, ku mbi këtë hapësirë ndodhet hambari. Konstruksionet e mureve në përdhese, me trashësi 90 cm, dhe në kat, me trashësi 20 cm, janë të ndërtuara prej qerpiçi. Ndërsa konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Shquhet tavani i një dhome në kat, ku sipas pronarëve mendohet se është punuar nga vetë Ymer Prizreni, me allçi, me motive florale dhe i ngjyrosur me ngjyrë të kaltër. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Kulmi është dyujor i mbuluar me tjegulla të luguara. Në enterier gjenden pajisjet e paluajtshme: tavani dekorativ, tavane të thjeshta, raftet, shtyllat, musëndra, dollapët,jyklykët, hamamxhikët në kat dhe në përdhese, minderet dhe varëset prej druri, stufa, oxhaku dhe kazani i banjës prej bakri. Pajisjet e luajtshme: arka dhe sofra prej druri, qilimi, dybeku prej guri, kazani, kusia dhe tava e madhe prej bakri. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri i vogël, jazi i mbyllur, çezma, ambari, një shtëpi e ndërtuar në shekullin XX, si dhe ahuri, e cila është pjesë e vëllimit të shtëpisë dhe ka qasje nga oborri, konkretisht afër portës hyrëse. Shtëpia ka rëndësi të veçantë historike, sepse këtu ka jetuar dhe vepruar Ymer Prizreni, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Enterieri i shtëpisë ka objekte origjinale të punuara në mënyrë arkitektonike-artistike. Gjatë vitit 2015-2016, në Shtëpinë e Ymer Prizrenit janë realizuar ndërhyrjet restauruese nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Prizrenit.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000510


Emri: Shtëpia e Ymer Prizrenit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Lagjja “Rahlin”


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: “Ardian Zurnaxhiu” nr. 22



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: