Shtëpia e familjes Pomaku
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 03.04.2003
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Shtëpia e familjes Pomaku ndodhet në lagjen e vjetër Saraçhane, në qendër të Zonës Historike të Prizrenit. Është ndërtuar gjatë shek. XVIII. Kjo shtëpi është simbol i arkitekturës tradicionale të banimit, me elemente karakteristike të cilat vërehen si në eksterier ashtu edhe në enterier. Objekti është i ngritur në etazh. Për dallim nga shtëpitë tjera të kësaj periudhe, këtu përdhesa është shfrytëzuar si hapësirë ekonomike. ku gjenden kuzhina me oxhak si dhe hapësira për ruajtjen e ushqimit dhe veglave të punës. Lidhja me katin e parë realizohet nëpërmjet dy lidhjeve: shkallët e brendshme nga druri që lidhin përdhesën me katin, dhe shkallët e jashtme nga guri që gjenden në fasadën lindore dhe krijojnë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet oborrit dhe katit. Kati i parë shfrytëzohet për banim, ku gjenden hajati në këndin veri-lindor, i cili fillimisht ka qenë i hapur por me kalimin e kohës është mbyllur me dritare dhe tri dhoma të lidhura me një paradhomë. Dhomat e katit të sipërm dalin të shkëputura në formë konzolle, mbi volumin e katit përdhe, me përmasa të ndryshme - njëra del më shumë e tjetra vetëm pak. Struktura e ndërtesës është ndërtuar me kombinim të gurit në përdhesë dhe sistemit bondruk (qerpiç dhe dru) në kat. Konstruksioni i kulmit është katër ujor nga druri, i mbuluar me tjegulla nga argjila, dhe strehë të gjerë që dalin nga perimetri i mureve në gjatësinë rreth një metër. Dritaret kanë kornizë druri dhe nga jashtë kanë nga një gardh metalik të dekoruar. Dyshemeja në përdhesë është dheu i shtypur, ndërsa në kat nga dërrasat. Enterieri karakterizohet me artin aplikativ si: tavanet të punuar me drugdhendje, dollapët, jyklyqet, raftet, shtyllat dekorative prej druri të cilat janë të zbukuruara me elemente gjeometrike dhe florale. Nëpër dhoma ndodhen edhe oxhaqet e muratosura (qymlekllëk) që shërbenin për ngrohjen e ujit në hamagjik. Oborri është shtruar më kalldrëm, ku gjenden gjurmët e përroit ku rrjedhte uji i Lumbardhit, si dhe në anën veriore kah rruga është ruajtur objekti i hambarit i ndërtuar në kat. Shtëpia e Familjes Pomaku karakterizohet me integritetin kompozicional të ruajtur duke filluar nga porta e oborrit, hambari, oborri i shtruar me kalldrëm dhe shtëpia. Kjo shtëpi me pozitën e saj, përmbajtjet përcjellëse në oborr ka ruajtur në masë të madhe autenticitetin e tij, dhe paraqet një prej shembujve më karakteristik të shtëpisë qytetare të shek. XVII-XIX në Prizren. Gjatë vitit 2017 në kuadër të programit “Restaurimi i trashëgimisë kulturore në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit” të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë bërë ndërhyrje emergjente në këtë shtëpi, me ç’rast është bërë restaurimi i konstruksionit të kulmit dhe mbulesës.