Ura e vjetër e gurit në Prizren
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 2345/48
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010-2014
Historiku
Përmes Prizrenit kalon lumi Lumbardh i cili e ndan qytetin në dy pjesë, pothuajse të barabarta. Mbi Lumbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit. Ura e Gurit gjendet në qendrën e qytetit të vjetër. Në anën lindore të saj gjendet Ura e ,,Arastës”, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e ,,Naletit”. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit). Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar kah fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Ura e vjetër ishte triharkore, harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30m, ndërkaq e urës së tanishme është 17m. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m. Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103cm dhe lartësi 160cm. Gjerësia e trasesë është 4,20m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40cm që përcjellë nivelimin e saj dhe ka shërbyer vetëm për këmbësorë. Në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet ‘60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urë u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja e ,,Elanit”, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit me vendimin nr. 2345 të datës 31 dhjetor 1948 vihet nën mbrojtje të shtetit.