Kroi i Binbashit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 516/77


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Kroi Binbashi gjendet në perëndim të zonës historike të Prizrenit, pranë Xhamisë “IljazKuka” dhe ndërtesës së Beledijes. Për kohën e ndërtimit dhe ndërtuesin e tij nuk posedojmë informata të sakta. Informatat që paraqiten në mbishkrimin e shkruar në gjuhën e vjetër osmane tregojnë për donacionin e bërë nga një person ushtarak (Binbashi) në vitin 1902 për restaurimin e kroit. Në bazë të kësaj informate edhe kroi njihet si Kroi Binbashi. Kroi prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot shërben si krua publik i lagjes, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Kroi është punuar me gurë gëlqerorë të gdhendur në formë drejtkëndëshi. Planimetria e tij është katrore që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, mbi të cilin është mbulesa (turbani) e përbërë prej tri pjesëve në formë piramidale, të punuar me gurë të gdhendur të profiluar. Pjesa e ballores është gdhendur në formë të një kornize të profiluar brenda të cilit gjenden dy nisha. E para ka formë të hapjes me hark të thepisur dhe shërben për vendosjen e sapunit, kurse e dyta ka formë drejtkëndëshe ku ka qenë i vendosur mbishkrimi. Mbishkrimi është larguar nga kroi gjatë viteve ’70 dhe tani gjendet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të ambientit përreth. Gjatë restaurimit të kroit në vitin 2014 janë gjetur gypat prej qeramike origjinale prej nga ka rrjedhë uji nga përrenjtë që degëzoheshin nga lumi Lumbardhi. Kroi është i vendosur në veri të Xhamisë “Iljaz Kuka”, në trotuar, ku bëhet kryqëzimi i dy rrugëve, rruga: “Shuaip Spahiu” dhe rruga “Iljaz Kuka”. Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilat janë ndërtuar pranë ndërtesave të vendosura në kënd të rrugëve. Ka planimetri pothuajse katrore me dimensione 98 x 90 cm. I përmban të gjitha karakteristikat e krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XIX: trupin me bazë katrore të punuar nga gurë të gdhendur gëlqerorë, kurorën me përfundim (turban) në pjesën e epërme në formë piramidale, të ndarë në tri breza horizontale, vendi ku ka qenë i vendosur mbishkrimi, nisha për vendosjen e sapunit, rubineti prej nga rrjedh uji dhe vaska me planimetri katrore nga guri i mermerit të bardhë.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000427


Emri: Kroi i Binbashit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Në afërsi të Xhamisë“IlijazKuka”


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: Shuaip Spahiu



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX