Kroi i Beledijës në Sheshin e Lidhjes
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 479/77
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Prizreni është i njohur për numrin e konsiderueshëm të krojeve publike. Një ndër krojet më me famë në qytet është edhe Kroi i BELEDIJES. Emrin e ka marr nga vetë objekti i Kuvendit Komunal të Prizrenit, që u ndërtua gjatë periudhës osmane, në shekullin XIX. Kroi është ndërtuar në oborrin e Beledijes, siç quhet në gjuhën turke Kuvendi, gjatë shek. XIX. Kroi gjendej ndërmjet objektit të ,,Beledijes” dhe Xhamisë së Mustafë Pashës. Në këtë vend kroi e kreu funksionin e vet primar nga koha e ndërtimit e deri në vitet 1960. Asokohe lagjja pësoi ndryshime të paparapara. Xhamia e Mustafa Pashës u rrënua më 1952. Në anën e djathtë të lumit u ndërtua dhe asfaltua aksi rrugor nga ,,Tabakhana” e deri në ,,Marash”. Kroi ndodhej në aks të rrugës. Si rrjedhojë e ndërtimit të aksit rrugor, kroi më 1963 u dislokua në “Sheshin e Dëshmoreve”, i cili gjendet në pjesën qendrore të qytetit, ndërmjet urës e Xhamisë së Arastës dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kroi është i ndërtuar nga gurët gëlqeror të latuar. Gjatë përpunimit, blloqeve të gurëve u është dhënë forma e katrorëve, me madhësi të ndryshme. Në pjesën e sipërme, në të katër anët e tij, ngrihen harqe, e mbi to është vendosur një gur gjysmë sferik. Në pjesën ballore të kroit është një profil i cekët, në formë kornize, ku brenda saj duhej të ishte mbishkrimi me të dhëna elementare për të, por kjo mungon. Më vonë, në pjesën e harkut ballor është vendosur mbishkrimi i dytë, ku shkruan ,,Sud-Opshtina Prizren-1925 god.”(Gjykata Komunale e Prizrenit-viti 1925”). Kroi është me një sylinjare. Ujin e merrte nga ujësjellësi i qytetit. Korita e tij është nga betoni dhe gurët janë katrorë. Në kohën e ndërtimit të kroit në shesh u ndërtua edhe kanali i ujit, i cili gjarpëronte nëpër shesh. Kroi me kanalin plot me ujë paraqiste një lloj atraksioni. Por fatkeqësisht ky atraksion prej vitesh nuk funksionon, ndërsa nga kjo ka mbetur vetëm kanali pa ujë.