Tyrbja e Kalender Babës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2015-2016
Historiku
Tyrbja e Kalender Babës gjendet në lagjen e “Terzi-Mëhallës” në mes të rrugëve “Indrit Cara-Kavaja” dhe “Zahir Pajaziti”, me pjesën ballore të orientuar kah veriu. Në afërsi të tyrbes gjendet ndërtesa e Islahanes dhe Gjimnazi “Gjon Buzuku”. Tyrbja është e ndërtuar mbi themele prej guri me planimetri drejtkëndëshe, dimensionet 310x480 cm. Struktura e mureve rrethuese është e përpunuar me gurë lumi në lartësi afër 80 cm, ndërsa vërehet muratimi i shtresës me blloqe betoni mbi murin ekzistues, gjithsej lartësia e murit arrin deri në 120 cm dhe trashësi 50cm. Gjithashtu nga ana e brendshme e murit rrethues është edhe një nish ku ndizen qirinjtë. Në brendi të tyrbes gjendet varri i Kalender Babës, i cili po ashtu është i rrethuar me mure të ndërtuara prej gurësh lumi, me dimensione 95x285cm dhe lartësi 44 cm. Tyrbja nuk ka derë, por qasja mundësohet me anë të hapësirës ndarëse në mes të dy mureve nga fasada veriore, në nivel të rrugës së komunikacionit. Dyshemeja e tyrbes është e shtruar nga çimento. Tyrbja është pa mbulesë. Tyrbja është e padatuar. Sipas të dhënave gojore Kalender Baba ishte pjesëtar i ushtrisë osmane, për të cilin fliten legjenda të shumta. Përpara muret e tyrbes kanë qenë të ulëta dhe tyrbja ka qenë e mbuluar. Ajo ka pasur kulmin por, sipas gojëdhënës, vetë shenjtori e ka rrënuar kulmin, për të parë qiellin e kaltër. Tyrben e vizitojnë më së shumti njerëzit që ankohen nga dhembja e kokës. Nga tyrbja të sëmurët marrin pak dhe e vënë nën jastëk. Të nesërmen, ata e kthejnë dheun në tyrbe. Nëse shërohen, të sëmurët sjellin monedha, qirinj ose ndonjë dhuratë tjetër. Sot tyrbja rrallë vizitohet.