Kompleksi i Karabashit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Kompleksi i Karabashit gjendet në pjesën jugperëndimore të Prizrenit, në anën e majtë të lumit Lumbardhi. Ky kompleks ka rëndësi të madhe historike, shpirtërore dhe arkitektonike pasi që paraqet varrezat më të vjetra të ruajtura në Prizren. Varrezat e vjetra datojnë nga shek. XV, kurse në pjesën e parë të shek. XX janë ndërtuar tri tyrbe të mbuluara. Tyrbja e Rabia Hanëmit - Në bazë të mbishkrimit varror të skalitur në gur është ndërtuar në vitin 1905. Tyrbja ka planimetri në formë drejtkëndëshi, të ndërtuar me tulla dhe llaç gëlqeror si material lidhës. Kulmi është katërujor prej druri të mbuluar me llamarinë, ndërsa në maje e ka një "alem" metalik të profiluar. Brenda tyrbes gjendet varri në formë kubi me gurin mbivarror në formë cilindrike me kapitel, ku përveç mbishkrimit të skalitur në stilin “talik” janë edhe dekorime me motive florale. Tyrbja e Sheh Hyseinit – Është ndërtuar në fillim të shek. XX. Në të janë varrosur dy udhëheqës shpirtërorë të rendit Halveti dhe Sinani. Ka planimetri në formë katrori, ndërtuar prej gurëve dhe tullave të papjekura - qerpiçëve. Ndërtesa është e suvatuar nga ana e jashtme dhe e brendshme. Konstruksioni i kulmit katërujor është prej druri të mbuluar me llamarinë. Brenda tyrbes janë dy varre të mbuluara me kapakë druri dyujor. Tyrbja e Mustafa Karabash Efendisë – Në bazë të disa gojëdhënave besohet se rivarrimi i Mustafa Karabash Efendisë është bërë diku në fund të shek. XVIII në varrezat e qytetit që tani njihen si “Varrezat e Karabashit”. Gjatë rivarrimit duhet të jetë ndërtuar edhe tyrbja me planimetri tetëkëndore. Muret janë të ndërtuara prej gurëve dhe nga ana e jashtme kanë profilime nëpër cep dhe përreth hapjeve. Kulmi është tetëujor prej druri, që mbështetet mbi tambur nën të cilët gjendet kubeja. Mbulesa e kulmit është prej elementeve të "tegollës". Gjatë viteve tyrbet kanë pësuar ndërhyrje të vogla me qëllim riparimi. Pas Luftës së Dytë Botërore një pjesë e madhe e sipërfaqes së këtyre varrezave janë nacionalizuar dhe janë shfrytëzuar për qëllime të tjera, si kompleksi spitalor, kompleksi shkollor, parku i qytetit me stadiumin. Gjatë kësaj periudhe ky lokacion nuk përdoret duke u lënë në mëshirë të kohës. Në sipërfaqen e Kompleksit të Karabashit, çdo vit, më 5 Maj, është shënuar festa e Shën Gjergjit, e quajtur në popull edhe si Dita e Karabash Babës. Në vitin 2007 varrezat e vjetra janë rrethuar me mur dhe është ndërtuar një shteg që përshkon aksin gjatësor të kompleksit dhe ndalohet zhvillimi i aktiviteteve në këtë zonë.