Teqja Halveti
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1101/55
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Teqja e Halvetive gjendet në Zonën Historike të Prizrenit, në kuadër të lagjes së vjetër të Saraçhanes. Teqja është ndërtesë sakrale islame dhe i përket tarikatit Halveti (rrjedh nga fjala arabe "halwet-vetmia”). Emrin e ka marrë nga themeluesi saj - Piri i Madh O M A RU’ L- H A L V E T I U (i cili vdiq më 1397/8 në Tabriz). Themelimi i Teqes së Halvetive në Prizren lidhet me Sheh Osman Babën. Sipas të dhënave del se ai ishte nga Vlesha, fshat i rrethit të Peshkopisë në Shqipëri. Ai kreu medresenë në Serez (Greqi), ku edhe është përcaktuar për rendin e halvetive. Pas mbarimit të shkollimit e hasim me punë (shërbim) në Xhaminë e Kukli-Beut në Prizren. Përgjatë punës 2/3 vjeçare bie në sy devotshmëria e tij si besimtar, mendjehollësia e tij, aftësia çudibërëse etj. Sipas gojëdhënës, një pasardhëseje të Kukli-Beut i kishte humbur djali, për këtë ajo shqetësohet tej mase. Ajo për ta gjetur të birin bën çmos, por se gjen dot. Në një rast, nëna e dëshpëruar e qan hallin me Osman Babën. Ky i jep kurajë, duke i premtuar se do t`ia gjej djalin, kudo që të jetë ai, dhe me të vërtetë ashtu ndodhi; djali kthehet në shtëpi, shëndosh e mirë. Ajo në shenjë falënderimi i fali Osman Babës një shtëpi dykatëshe, të cilën ai e shndërron në teqe, e njohur si ,,Asitane saraqhane tekesi’’. Kjo duhet të ketë ndodhur 418-428 vite më parë, ndonëse si vite të mundshme të themelimit të saj përmenden 1604, 1690, 1700, 1713. Ndërtesa e teqesë që ka mbërri deri në ditët tona është e vitit 1835 kur teqja u meremetua. Intervenimet rinovuese dhe restauruese kanë vazhduar edhe pas vitit 1999. Kompleksin e teqesë e përbëjnë: - Teqja (me disa dhoma të veçanta) - Semahanja – salla e lutjes - Tyrbja - ku janë varrosur udhëheqësit e teqes (Shehlerët) - Oborri i shtruar me kalldrëm, me elementin e ujit që rrjedh nëpër dy kroje nga mermeri - Shtëpia e banimit e Sheh Hasanit - Ndërtesat afariste Objektet janë të ndërtuara nga materiali i gurit, qerpiçit dhe drurit, të mbuluara me tjegulla, me tavan dekorativ prej druri. Teqja ka bazë drejtkëndëshe, e mbuluar me kulm katër ujor me tjegulla tradicionale. Në pjesën lindore gjendet hajati i dekoruar me shtylla të gdhendura nga druri. Semahanja paraqet një ndërtesë karakteristike, me bazë tetëkëndëshe dhe e mbuluar me kulm tetë faqesh. Enterieri i Semahanes është i dekoruar me pllaka qeramike me motive florale dhe arabeska. Krahas enterierit të pasur, në Semahane gjenden edhe elementet origjinale të teqesë, sikurse veglat e punës dhe veglat muzikore.