Xhamia e Ahmed Beut

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Xhamia e Ahmed Beut gjendet në lagjen e “Tabakhanes”, në pjesën perëndimore të Prizrenit. Në mungesë të mbishkrimit nuk posedojmë informata rreth vitit të saktë të ndërtimit. Në bazë të shkrimeve të vjetra, në këtë lokacion nga ana e Haxhi Mustafës, gjatë shek. XVI është ndërtuar një mesxhid. Kurse më vonë është rinovuar nga Ahmed Beu dhe i është ndërtuar minarja. Periudha e rinovimit dhe ndërtimit të minares supozohet të jetë rreth fillimit të shek. XIX. Xhamia në popull njihet si Xhamia e Ahmed Beut ose si Xhamia e Tabakhanes. Që nga koha kur është ndërtuar e deri më tani ka kryer funksionin fetar si xhami e lagjes. Kompleksi i xhamisë përbëhet nga oborri që rrethohet nga muri rrethues, që e kufizon kompleksin nga rruga kah ana veriore, ndërtesa e xhamisë, krojet e hapura për marrjen e abdesit dhe nyjat sanitare, dhe gurët e vjetër mbivarrorë në oborr. Ndërtesa e xhamisë ka dimensione modeste dhe i takon tipit të xhamive të zakonshme të lagjes. Në pjesën veriperëndimore gjendet hajati me planimetri drejtkëndëshe. Hajati fillimisht ka qenë i gjysmëhapur dhe i ndërtuar në përdhese të lartë, kurse gjatë viteve të fundit të shek. XX është mbyllur dhe është ndërtuar edhe kati, bashkë me shkallët e jashtme. Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndore të mbuluar me tavan të rrafshët, mbi të cilin gjendet kulmi katërujor, i mbuluar me tjegulla. Qasja në sallën e lutjes bëhet nëpërmjet hajatit. Muri verilindor dhe ai juglindor kanë nga dy palë dritare, ku dritaret e poshtme kanë formë drejtkëndëshe kurse ato të sipërme përfundojnë me majën gjysmërrethore. Në enterierin e sallës së lutjes nuk janë ruajtur elementet origjinale, përpos tavanit të punuar me dërrasa. Në sallën e lutjes gjenden elementet tradicionale të enterierit të xhamisë, mihrabi, minberi dhe mahvili-galeria. Qasja në galeri bëhet nga shkallët e jashtme të ndërtuara para hajatit. Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka planimetri rrethore, të ndërtuar nga gurët shpuzorë. Ka një lartësi mesatare, mbulohet me kulmin në formë koni nga llamarina, dhe karakterizohet me sherefen – ballkonin rrethor dhe dekorime të thjeshta gjeometrike. Ndërhyrjet joprofesionale të realizuara ndër vite kanë reduktuar vlerat origjinale të kësaj xhamie. Struktura e mureve, tavanet, minarja dhe gurët mbivarrorë janë elemente të cilat janë ruajtur.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000373


Emri: Xhamia e Ahmed Beut


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: “Tabakhane”


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: “Remzi Ademi ”



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVI