Xhamia e Çatip Sinanit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Xhamia e Çatip Sinanit-Levisha gjendet në pjesën lindore të qytetit, në lagjen më të njëjtën emër, në veri të lagjes së “Gazi Mehmet Pashës”. Gjendet në kënd, në kryqëzimin e rrugës kryesore dhe të asaj anësore, në afërsi të shtëpive dhe shitoreve. Xhamia njihet në popull si Xhamia e Çatip Sinanit, Velishah ose Levisha. Lagjja ku ndodhet xhamia ekziston prej vitit 1591 dhe ka qenë njëra ndër lagjet më të mëdha të qytetit. Sipas mbishkrimit pranë derës së jashtme të xhamisë, xhaminë e ndërtoi Qatip Sinani (KATIP SINAN) në vitin 1577, ndërsa sipas mbishkrimit (kitabesë) e cila gjendet në derën e brendshme të xhamisë, xhamia është meremetuar në vitin 1311 Hixhri,1893-1894. Meremetimi i xhamisë është realizuar edhe në vitet 1996 dhe 2011. Në vitin 2011 muret e brendshme të xhamisë u dekoruan me ornamente të stilit oriental. Muret kryesore të xhamisë supozohen të jenë të ndërtuara prej materiali nga guri, të lidhur me llaç gëlqeror, me trashësi 110 cm, ndërsa muret e hajatit 60 cm, të ndërtuara prej tullave të pjekura. Kubeja e xhamisë është në lartësi afër 11m dhe është e mbuluar me plumb. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Qasja në xhami mundësohet nga rruga, me anë të derës dykrahëshe nga metali. Në fasada dritaret janë të rrethuara me rrethoja hekuri dekorativ. Dyert e brendshme janë në formë harkore. Në xhami gjenden pajisjet e paluajtshme: minberi, mihrabi, dollapi i futur në mur, si dhe pajisjet e luajtshme: një orë e madhe dhe e vjetër, tespihe, sixhade për falje etj. Në kuadër të xhamisë gjendet oborri i vogël dhe katër çezma të vogla, të zbukuruara me ornamente florale. Xhamia ka vlera historike dhe shoqërore sepse është monument fetar i shekullit XVI, në shërbim të komunitetit islam të qytetit.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000370
Emri: Xhamia e Çatip Sinanit
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Prizren
Qyteti/Fshati: Prizren
Lokaliteti: Në afërsi të "Shtëpisë së Bardhë" – “Bazhdarhane”
Kodi Postar: 20000
Emri i rrugës: “Tahir Meha”
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi): Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVI
Të rejat nga trashëgimia
Mulliri në Tabakhane
Kalaja e Prizrenit
Xhamia e Suziut
Shtëpia e Zija beut
Xhamia e Çohaxhi Mahmudit