Xhamia e Emin Pashës

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 371/87


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Pranë hamamit të Gazi Mehmed Pashës, në lagjen Saraçhane, Emin Pasha (i cili ka qenë Sanxhakbeu i Prizrenit prej vitit 1789 deri më 1843) e ndërtoi xhaminë, mejtepin dhe objektet tjera përcjellëse. Viti i ndërtimit të xhamisë vërtetohet nga mbishkrimi i cili gjendet mbi derën hyrëse, dhe është shkruar në katër rreshta me këtë përmbajtje: “Bamirësi dhe ndërtuesi i xhamisë është prizrenasi Emin Pasha i biri i Tahir Pashës mytesarif i Qystendilit. Viti i ndërtimit 1831” . Xhamia është ndërtuar në formë specifike për trevën tonë dhe është e ngjashme me Xhaminë e Sinan Pashës, por me përmasa më të vogla. Pikturimi i brendshëm është gjithashtu shumë i ngjashëm me pikturimin e fazës së dytë në xhaminë e Sinan Pashës. Planimetria e objektit është në formë katrore me një pjesë të shtuar në formë nishe në formë drejtkëndëshe, në anën jug-lindore ku është pjesa e mihrabit. Organizimi funksional është sikurse te xhamitë tjera ku hyrja në objekt bëhet përmes hajatit që është ngritur mbi katër shtylla prej guri dhe me gardh të ulët prej druri. Mimberi është ndërtuar prej guri. Hapësira kryesore e xhamisë është mbuluar me një kupolë qendrore dhe një gjysmë-kupolë në pjesën e mihrabit. Muret janë të ndërtuara prej gurëve të ndryshëm dhe janë të suvatuara në të dy anët, ndërsa kupolat janë të veshura nga jashtë me plumb. Minarja është ndërtuar prej guri dhe është e suvatuar nga ana e jashtme. Ka bazë katrore, trung rrethor dhe sherifen e dekoruar. Mbulohet me pllaka plumbi. Pikturimi i mureve të brendshme dhe pjesërisht të jashtme (pjesa e hajatit) janë bërë në stilin Barok me çka vërtetohet depërtimi dhe ndikimi i artit Evropian gjatë shekullit XIX. Motivet janë të natyrës florale ku dominon ngjyra e kaltër dhe e verdhë. Në oborrin e xhamisë janë varrezat e vjetra, me gurë mbivarror nga mermeri, ku gjendet edhe varri i Emin Pashës. Xhamia përpos vlerës historike, artistike e shkencore, ka edhe vlerë shoqërore, pasi që Emin Pasha i ka takuar familjes aristokrate të Rrotllajve që ka pasur ndikim të madh në rrjedhat historike të Prizrenit gjatë shek. XVII-XIX. Xhamia ka ruajtur origjinalitetin e saj, përpos disa intervenimeve të vogla që janë bërë gjatë viteve ’90 (mbulimi i hajatit me konstruksion montazh nga alumini, dhe lyerja e mureve nga ana e brendshme). Duke filluar nga viti 2014është hartuar projekti i restaurimit dhe kanë filluar ndërhyrjet restauruese, të cilët janë financuar nga Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim – TIKA. Në kuadër të këtij projekti janë bërë ndërhyrjet në strukturën e mureve, stukturë të kulmit, dhe restaurimin e enterierit, portikut dhe oborrit të xhamisë.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000353


Emri: Xhamia e Emin Pashës


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Saraçhane


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: "Emin Pasha"



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX