Xhamia e Ilijaz Kukës

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 26.03.2003


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Xhamia e Iliaz Kukës gjendet në rrjedhën e majtë të Lumbardhit afër kroit “Binbashi”, në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit. Viti i ndërtimit nuk dihet pasi që mbishkrimi i kohës së ndërtimit është humbur. Mbi portën kryesore gjendet një pllakë mermeri me epitaf në gjashtë rreshta në gjuhën arabe që në përkthim d.m.th.: "Ahmed Beu meremetoi xhaminë në vitin 1317sipas Hicrit (1897)". Në bazë të disa burimeve besohet se xhamia së pari është ndërtuar si mesxhid diku rreth vitit 1535 dhe më vonë nipi i Kukli beut, Mehmed beu ndërton edhe minaren, dhe këtë objekt ia kushton gjyshit të vet Ilijaz Kukit, dhe e tërë lagjja e merr këtë emër. Xhamia ka planimetri drejtkëndëshe me hajat dhe i takon llojit të xhamive të lagjes. Është ndërtuar me qerpiç dhe gur, dhe është e suvatuar nga brenda dhe jashtë. Pullazi është kulm katër ujor i mbuluar me tjegulla, ndërsa nga ana e brendshme është kupola e shtypur dhe ka qenë e dekoruar me piktura murale. Minarja gjendet në anën veri-perëndimore dhe është e ndërtuar me gur shpuzë të suvatuar nga ana e jashtme me llaç gëlqeror. Ka bazë katrore dhe trung rrethor, me sherefen pa ndonjë dekorim të veçantë dhe mbulohet me kylah në formë konike. Hajati i xhamisë ngrihej mbi shtyllat e drurit dhe fillimisht ka qenë i hapur. Në vitet e 90-ta në hajat ndërtohet edhe një platformë druri me ç'rast përfitohet edhe një "mahvill" përveç asaj ekzistueses. Hyrja kryesore në formë harkore është formuar nga gurët e latuar ku është vendosur dera prej druri të gdhendur me mjeshtëri. Në hapësirën kryesore, në sallën e lutjeve, gjendet mahvilli i vendosur mbi shtyllat e drurit me kapitel të punuar me forma harkore dhe me gardhin e punuar nga druri me forma gjeometrike. Gardhi i mahvilit në pjesën e mesme del në formë konzolle harkore duke krijuar dinamikë. Pranë mihrabit gjendet mimberi i punuar me drugdhendje. Mihrabi është punuar si element në vete dhe mendohet të jetë ndërtuar gjatë restaurimit të vitit 1897. Në xhami gjendet edhe ora e vjetër që besohet se i takon po këtyre viteve (fundi shek. XIX). Në oborrin e xhamisë gjenden edhe disa varreza të vjetra ku dy prej tyre janë të punuara me mermer të profiluar dhe kanë dekorime të pasura me motive gjeometrike e florale në sanduk dhe në gurët vertikal, me bazë rrethore. Gjatë viteve janë bërë restaurime të pakoordinuara me institucione kompetente për trashëgimi ashtu që janë dëmtuar dhe humbur mjaft vlerat origjinale të xhamisë. Një ndër të është edhe pikturat murale, ku gjatë renovimit të vitit 2000, eliminohen edhe pikturat e fundit që kishin mbetur në pjesën e kupolës dhe të mahvillit. Në vitin 2006 bëhen disa renovime në anën e jashtme të xhamisë, me ç’rast suvatohet dhe muri i oborrit, derisa më vitin 2010 ndërtohet një objekt përcjellës në anën jugore të parcelës pranë murit rrethues.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000350


Emri: Xhamia e Ilijaz Kukës


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Në afërsi të çeshmes Binbashi


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: Ilijaz Kuka



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVI