Kulla e Goskajve
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 23.04.2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Kulla e Gockajve Në qytetin e Pejës, në lagjen Varret e Gjata, gjendet kulla trekatëshe e Shaban Gockës (sipas njësimit në popull) e cila shquhet për tipare të mirëfillta stilistiko-ndërtimore dhe arkitektoniko-funksionale e përmbajtjesore. Ky ndërtim i realizuar në vitin 1884, i përket tipit të shtatë kullave me dyshekllëk këndor me shtrirje nga ana e djathtë e ballinës. Ku në kuadër të strukturimit arkitektoniko formues, dyshekllëku këndor i dalë lehtë nga planimetria konturore në formë erkeri paraqitet si motiv kryesor arkitektoniko-kompozicional. Kulla me tre etazhe ka pasur funksion të banimit, ku çdo ambient ka pasur funksion të caktuar. Me dy hyrje, atë të katit përdhese dhe hyrjen e katit të ndërmjetëm që lidhet përmes shkallëve të jashtme. Në përdhese kishte ahurin, në kat korridorin, shtëpinë e zjarrit dhe oden e banimit, përderisa në katin më të lartë ka ekzistuar korridori i vogël, oda e burrave me enterier nga lënda drunore (punim dore), divahanja me dyshekllëk dhe banjoja. Kulla kryesisht e ruan gjendjen fillestare të ndërtimit, me përjashtim të dekoracioneve në dru të odës së burrave. Ndërtimi i takon tipit kullë, me elemente të stilit neoklasik. Struktura e murosjes është realizuar kryesisht nga gurët e latuar dhe paksa të latuar. ndaj i takon teknikës rustika (fshatarake). Objekti gjatë xhonturqve, ka pësuar transformime në hapjet(dritaret) e katit më të lartë, me ç’rast dritaret fitojnë mbulesë në arkitra. Pas restaurimit dritaret rikthehen në gjendjen origjinale, kanë mbulesa harkore nga ana e jashtme. Sot objekti ka ndërruar funksionin dhe shërben për nevoja administrative të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve në Pejë.