Kroi i Qor Agës (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015

Historiku

Kroi i Qor Agës gjendet në zonën historike të Prizrenit, në kuadër të kompleksit të Xhamisë së Haxhi Ramadanit (Qor Agës). Periudha e ndërtimit dhe ndërtuesi nuk janë të njohura deri më tani. Pasi që është i mbështetur në murin rrethues të xhamisë në popull njihet si Kroi i Qor Agës. Duke u bazuar në analogjinë me krojet publike të ndërtuara në Prizren, formën, materialet dhe teknikat e ndërtimit supozohet se edhe ky krua daton nga fundi i shek. XIX. Kroi prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot shërben si krua publik i lagjes, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve më ujë të pijshëm si dhe për nevojat e mirëmbajtjes së higjienës për besimtarët që e shfrytëzojnë xhaminë. Kroi është punuar me gurë gëlqerorë të gdhendur në formë drejtkëndëshi. Planimetria e tij është drejtkëndëshe që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, në formë piramidale, të punuar me gurë të gdhendur. Në pjesën ballore ka një përpunim-gdhendje të cektë në formë kornize me harqe të shkallëzuara, të profiluara, me gjerësi rreth 7.5 cm. Në mes të kësaj balline gjendet nisha për vendosjen e sapunit, derisa mbishkrimi nuk ekziston dhe nuk kemi informatë se a ka ekzistuar ndonjëherë. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime. Kroi ka përfunduar me një kurorë të punuar me katër rende tullash prej argjilës së pjekur dhe me një rend gurësh shpuzë, dhe në fund është vendosur një rend tjegulla të luguara. Pas studimit të bërë është vërtetuar se kurora nuk ka qenë ajo origjinale. Gjatë restaurimit të bërë në vitin 2014, duke u bazuar në analogjinë me krojet e shek. XIX, është ndërtuar kurora në tri pjesë, pa ndonjë trajtim dekorativ, me qëllim të prezantimit dhe dallimit të pjesëve origjinale nga ato të rindërtuara.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 003631

Emri: Kroi i Qor Agës

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: Te Xhamia e Haxhi Ramadanit

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: Saraçët

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.