Ndërtesa e Shkollës Fillore në Gjuhën Shqipe (Viti)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Historiku

Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë – Kisha e Shën Gjergjit gjendet në fshatin Stubëll e Epërme, komuna e Vitisë. Historiku i saj është më i hershëm sesa koha e emërtimit të saj dhe pikërisht është fjala për Kolegjin e Shën Lukës, i cili kishte filluar punën qysh në vitin 1584. Shkolla shqipe ka funksionuar edhe gjatë vitit 1846, vit i cili është i gravuar në brendësi të absidës mbi një lastar hardhie. Veprimtaria edukativo-arsimore si shkollë e parë shqipe e mirëfilltë është zhvilluar që nga viti 1868 me mësues Dom Mikelin. Ndërsa nga Austro-Hungaria është zyrtarizuar në vitin 1905, po ashtu, me mësuesin Dom Mikel Tarabulluzin. Kisha e Shën Gjergjit, ndryshe e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë është ndërtuar në terren të pjerrtë, ku formohen bodrumi dhe përdhesja. Ndërtesa është e vendosur në drejtimin perëndim – lindje dhe ka planimetri në formë të shkronjës L. Hyrja për bodrumin ku është e vendosur salla e lutjeve bëhet nga ana jugore, nëpërmes dy hyrjeve të veçanta, njëra për priftërinjtë e tjetra për besimtarët. Salla ka tri dritare në ballin jugor dhe dy të tjera në atë lindor. Absida gjendet në murin verior, pranë së cilës ndodhet edhe altari. Pranë hyrjes së parë, pra hyrjes nga hyjnë priftërinjtë, ndodhen dy libra liturgjikë: I pari është “Meshari Romak”, ndërsa i dyti është “Shenjtorët dhe Festat”. Nga hyrja e priftërinjve, salla ndahet me dy shtylla, të cilat mbajnë një mur në formë harku, ndërsa një ndarje tjetër ndërmjet altarit dhe pjesës tjetër të sallës është improvizuar me dy shtylla pa kapitel. Altari dhe tryeza e altarit janë veshur me gurë të përpunuar. Po kështu, edhe absida është e dekoruar me një friz, ngjyrash të shembullit të shamisë së Nënë Terezës. Në brendësi të absidës ndodhet një katror i gravuar në të cilin zë vend kryqi me Jezusin. Hyrja në përdhese bëhet nga porta që është në perëndim, ku gjendet edhe hajati i vendosur në tri shtylla. Vetë hajati ka një formë të gjysmërrethit, në dukje një absidë nga perëndimi. Në përdhese ndodhen disa kthina, të cilat kanë shërbyer për nxënësit si dhoma mësimi, për udhëheqësit fetarë të kishës dhe njëkohësisht udhëheqës edhe të shkollës. Ndërtesa është e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror. Mbulohet me kulm dy ujor, që përcjell tërë planimetrinë. Në pjesën perëndimore është e ngritur kambanorja me bazë katrore, e mbuluar me kulm katër ujor. Fasada ka trajtim të thjeshtë linear, është e suvatuar dhe e ngjyrosur. Në oborrin e kishës është përmendorja e Don Mikel Tarabuluzit, si dhe një monument kushtuar Martirëve të Karadakut (1846-1848). Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë – Kisha e Shën Gjergjit paraqet një monument me rëndësi të veçantë historike, shoqërore e kulturore.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 002741

Emri: Ndërtesa e Shkollës Fillore në Gjuhën Shqipe

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Viti

Qyteti/Fshati: Fshati Stubëll

Lokaliteti: Stubëll-(Viti)

Kodi Postar: 61000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.