Teqeja e Sheh Zenel Abedinit (Kamenicë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Historiku

Në fshatin Topanicë, komuna e Dardanës (Kamenicës), gjendet teqeja e Sheh Zenelit bashkë me tyrben. Ndërtesa daton nga viti 1754, përkatësisht nga gjysma e shek. XVIII. Teqeja ka shërbyer për kryerjen e ceremonive fetare të rendit halveti. Teqeja është njëkatëshe, me planimetri drejtkëndëshe. Përbëhet prej dy kthinave dhe hajatit gjysmë të hapur. Hajati gjendet në anën veri-perëndimore të teqesë. Mbështetet mbi pesë shtylla të drurit të gdhendura, që paraqesin punën e mjeshtrit popullor në drugdhendje. Dy prej shtyllave të hajatit kanë edhe kapitel të gdhendur. Shtyllat e hajatit lidhen ndërmjet vete me gardhin nga druri. Objekti ka dy kthina, nga të cilat e para quhet mejda odasi dhe e dyta semahane. Kthina e parë u shërbente dervishëve për ndeja e bisedime para dhe pas ziqrit (ritual fetar). Hyrja në këtë kthinë bëhet nga hajati, nëpërmjet derës që gjendet në murin perëndimor. Pranë derës së odës, në hajat, gjendet oxhaku. Kthina e dytë - semahanja gjendet pranë dhomës së parë, në këndin jugor. Në kthinën kryesore hyhet nga hajati, baza e të cilit është më e lartë se baza e dhomës qendrore, për rreth 30 cm. Në këtë kthinë ndodhen pesë dritare dy në lindje, dy në jug dhe një në perëndim. Dritaret kanë formë katërkëndëshe, ndërsa mbi to, të vendosur në të majtë, ndodhen hapjet tjera më të vogla, të cilat kanë formën e gjysmëharkut me majë. Në lindje të kësaj kthine ndodhet edhe mihrabi, i ruajtur ende. Semahanja ka qenë e rregulluar, me shtrojë e mbulojë, me disa foto të ndryshme në të, me dy varre të improvizuara dhe mjete a vegla që u kanë shërbyer dervishëve për ceremoni të ndryshme fetare, si: tri shpata, një palë pranga, një flamur etj. Ndërtimi i teqesë është realizuar nga gurët, qerpiçi, druri dhe llaçi i baltës. Ka kulm katër ujor, të mbuluar me tjegulla argjile. Kulmi vazhdon edhe mbi hajat duke krijuar strehë të gjerë. Oborri është i rrethuar me mur nga guri, i cili pas luftës së fundit në Kosovë është rinovuar. Pranë teqesë gjendet tyrbja ku janë varrosur udhëheqësit e rendit halveti. Në tyrbe gjenden 7 varre, në të cilat janë varrosur: shehu Zenel, Rrusta, Ibrahimi, Aliu, Ismaili, Abdyli dhe një i huaj, emri i të cilit nuk dihet. Ajo ruan gjendjen fillestare, vetëm se është dëmtuar në masë të madhe. Në vitin 2012 në këtë teqe janë ndërmarrë intervenime restauruese, me ç’rast është restauruar kulmi, është bërë suvatimi i brendshëm dhe i jashtëm, janë ndërruar dritaret dhe dyert, si dhe është rregulluar oborri.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 002690

Emri: Teqeja e Sheh Zenel Abedinit

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kamenicë

Qyteti/Fshati: Topanicë

Lokaliteti: Topanicë (Kamenicë)

Kodi Postar: 62000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVIII

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.