KULLA E YMER POGËS (Gjakovë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014

Historiku

Kulla gjendet në fshatin Rogovë të Hasit në anën e djathtë të Drinit të Bardhë. Kulla është ndërtuar në shekullin XVI nga Hasan Agë Qeli i Demjanit, i cili e ndërtoi edhe Xhaminë e Rogovës në vitin 1580 dhe Hamamin e Rogovës (i cili nuk ekziston sot). Objekti i takon tipit të kullave tri katëshe. Teknika e muratimit dhe struktura e materialit të ndërtimit (gur, llaç, gëlqere, tjegulla), është në përputhshmëri me Xhaminë e Hasan Agës në Rogovë, çka mund të supozohet se janë ndërtuar jo vetëm në të njëjtën kohë, por edhe nga mjeshtërit e njëjtë. Destinimi primar i objektit ishte për banim, ku përdhesja përdorej si ahur, kati i parë ishte i destinuar për banorët e shtëpisë, ndërsa kati në katin e dytë ka odën e burrave. Për një kohë kulla thuhet të ketë shërbyer si xhami. Këtë e dëshmon edhe kupola që gjendet në odën e burrave dhe kjo e bën kullën të jetë unike për nga stili i ndërtimit në Kosovë dhe më gjerë. Kulla e Ymer Pogës, sipas të gjitha shënimeve, konsiderohet si kulla më e vjetër në Kosovë. Muret e jashtme janë nga materiali i gurit, ndërsa mbulesa e kulmit është nga materiali shtresë plumbi dhe rrasa guri, që e hasim rrallë tek ky lloj objektesh. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarëza druri, dimensionesh mesatare, pasi edhe vetë dimensionet e kullës janë të madhësisë mesatare. Dyshemetë e ndërkatit janë me dërrasa, ndërsa në përdhese janë nga dheu. Komunikimi vertikal bëhet me shkallë të brendshme nga druri. Në katin e tretë gjendet oda e mysafirëve, me vatër në mes të murit përballë hyrjes, ndërsa në parahyrje të odës kemi divahane, që po ashtu e ka vatrën. Në vitet 2009 dhe 2013–2014, janë ekzekutuar punime të pjesshme në kullë me qëllim mbrojtjeje të objektit nga dëmtimet e mëtutjeshme. Intervenimet janë kryer në sanimin e mbulesës së kulmit, pastrimin dhe injektimin e mureve të jashtme dhe strehës. Por, në këtë kullë nevojiten edhe më shumë punime konservuese – restauruese, me qëllim që kulla të funksionalizohet në tërësi.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 002611

Emri: KULLA E YMER POGËS

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjakovë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjakovë

Qyteti/Fshati: Fshati Rogovë-Gjakovë

Lokaliteti: Fshati Rogovë

Kodi Postar: 50000

Emri i rrugës: Fshati Rogovë

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVI

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.