Xhamia në Glloboçicë (Kaçanik)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 26.11.2002

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015

Historiku

Xhamia në fshatin Glloboçicë (Qafa e Shqipes) është një ndër xhamitë më të vjetra të komunës së Kaçanikut. Sipas pleqve të fshatit, kjo xhami është ndërtuar pas xhamisë “Gazi Sinan Pasha” në Kaçanik (1594). Sipas disa dëshmive të tjera supozohet që është ndërtuar më 1800. Në xhami ruhet një gur i shkëputur nga dera hyrëse, në të cilin, në osmanishte, me alfabet arab, është shkruar edhe data e ndërtimit të xhamisë. Ndërtesa e xhamisë nuk ka pozitë të mirë fare, në krahun perëndimor ka një përrua, ndërsa në atë lindor ndodhet oborri i një shtëpie private. Xhamia është e ndërtuar kryesisht me gurë të madhësive të ndryshme, të papërpunuar, të lidhur me llaç balte dhe me hatulla druri, si elemente konstruktive. Hyrja e xhamisë është në veri. Më parë, xhamia kishte hajat të hapur, ndërsa në vitin 2000 hajati u mbyll me kulm, kurse hapësira rrethuese u muratua, duke humbur kështu një pjesë të origjinalitetit. Në lindje të aneksit ndodhet një klasë (dhomë) për mësim-besim të rinjve të fshatit. Gjithashtu, në aneks ndodhet një çezme me dy sylynjarë. Nga aneksi hyhet në sallën e lutjeve nëpërmjet dyerve të vendosura më vonë, në vitin 2010. Salla e lutjeve ka plafon të punuar nga dërrasat. Në të djathtë të sallës ndodhen shkallët që komunikojnë me mahvilin, tashmë i veshur me llamperi. Mahvili qëndron në 4 shtylla, ndërsa 6 shtylla të tjera, me bazë në dyshemenë e mahvilit, përfundojnë në tavan. Në mahvil ndodhet një deriçkë e cila shpie në minaren e xhamisë. Në mes të sallës së lutjeve ndodhen dy shtylla të larta deri në tavan, të cilat mbajnë një arkitra prej druri. Mihrabi i xhamisë është fare i thjeshtë, sikundër edhe minberi që është i zakonshëm edhe pse i dekoruar me figura gjeometrike dhe ngjyra. Kjo sallë e vogël lutjesh ka edhe qyrsin në të majtë të mihrabit. Minberi duket se është punuar më vonë edhe për shkak të vendit që zë në sallën e lutjeve - ai ndodhet i mbështetur në murin perëndimor, e jo rreth një metër larg tij, sikundër do duhej të ishte sipas rregullave të pozicionimit të elementeve të caktuara në xhami. Në anën e majtë salla nuk ka dritare, ndërsa në anën e djathtë, kah juglindja ka gjithsej 8 dritare katërkëndëshe, kështu që sallës së lutjeve i japin dritë të mjaftueshme. Në katin e dytë të xhamisë ndodhej një kthinë që kishte shërbyer si shkollë fillore gjatë viteve 1951-1952, por që nuk ekziston më. Kulmi i xhamisë është rinovuar në vitin 2000.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000171

Emri: Xhamia në Glloboçicë

Klasa: Monument

Institucioni: IKMM-Prishtinë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kaçanik

Qyteti/Fshati: Glloboçicë ( Qafa e Shqipes)

Lokaliteti: Glloboçicë ( Qafa e Shqipes)

Kodi Postar: 71000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.