Oda e Fevzi Hoxhës (Gjilan)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Historiku

Në fshatin Cernicë, rreth 8 km në jug-perëndim të Gjilanit, gjendet Oda e Mulla Vehbiut, tani pronë e nipit të tij Fevzi Hoxhës (1932). Sipas Fevziut, oda është ndërtuar në vitin 1928, nga gjyshi i tij, mulla Vehbi Hoxha. Mjeshtër për ndërtimin e saj kanë qenë djemtë e Hysen Hoxhës. Oda ka planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesja për një kohë është shfrytëzuar si mejtep (shkollë e fshatit). Kurse në katin e parë është vendosur oda. Oda paraqet hapësirën ku mblidhen meshkujt e një familjeje apo fshati për diskutime të ndryshme shoqërore, familjare, e politike, dhe si dhomë e mysafirëve. Hyrja në odë bëhet nga shkallët e drurit që janë vendosur në përdhese, në pjesën lindore. Para hyrjes është edhe hajati i gjysmë hapur. Sipërfaqja e odës është rreth 50 m2. Në enterier janë ruajtur elementet origjinale, jyklyku -që përdorej për vendosjen e dyshekëve dhe jorganëve, dy trapazanë të vendosur në dy anët e fillimit të odës aty ku është edhe hyrja. Oda ka qenë e rrethuar me mindere të cilët janë shkatërruar nga koha, janë edhe dy dollapë ku janë mbajtur takëmet e kafesë: sheqeri, kafeja, duhani etj. Dy dritare të vogla shikojnë kah lindja, ndërsa ajo më e madhja shikon nga jugu. Materiali për ndërtimin e objektit, kryesisht është guri i punuar dhe i lidhur me llaç balte dhe trarët e drurit në formë hatullash. Konstruksioni mes-kat është punuar nga druri, nga trarët e vendosur në dy drejtime. Shtyllat në përdhese janë gjithashtu nga druri me kapitel të dekoruar në formë gjeometrike. Ndërtesa është e mbuluar me kulm katër ujor, të mbuluar me tjegulla argjile. Fasada është lineare e suvatuar me llaç balte. Hajati i vendosur në anën lindore krijon dinamikë të dritë-hijes. Në oborrin e odës gjenden edhe objekte tjera, shtëpia, hambari dhe koshi, të cilat së bashku e formojnë një kompleks të arkitekturës së banimit në zonat rurale. Në vitin 2013 MKRS dhe CHwB kanë realizuar projektin për itervenim emergjent.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000108

Emri: Oda e Fevzi Hoxhës

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjilan

Qyteti/Fshati: Cernicë

Lokaliteti: Cernicë-(Gjilan)

Kodi Postar: 60000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Moderne

Shekulli: XX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.