Varri i Haxhi Zekës (1902) (Pejë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 02-496/76

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Historiku

Në Çarshinë e Gjatë të Pejës, në oborrin e Bajrakli Xhamisë, gjenden 52 varreza, e në to bën pjesë edhe varri i rilindësit të dalluar pejan Haxhi Zekës. Haxhi Zeka u lind më 1832, nga një familje e ardhur nga fshati Biber i Malësisë, nga i ati Mehmet Abedini dhe e ëma Zelfije Doçi nga Deçani. Emri i vërtetë i Haxhi Zekës është Zenel, por, pasi vizitoi vendet e shenjta, populli e quajti Mulla Haxhi Zeka. Haxhi Zeka mësimet e para i mori te hoxha i qytetit, dhe pas një shkolle gjysmë të mesme u emërua mësues në Pejë. Haxhi Zeka si i ri iu kushtua çlirimit të popullit të vet, popullit shqiptar, ku ra në kontakt me Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferin, Kadri Bajrin etj. Ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, ku pas kësaj më pas organizoi Lidhjen Shqiptare të Pejës në vitin 1899, që ishte vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit. Për rolin, kontributin e madh kombëtar të Haxhi Zekës, shkruante edhe konsulli anglez në Shkup i cili thoshte në raportet e tij: “Mulla Haxhi Zeka, është i vetmi njeri të cilit i shkoi për dore t’i bashkojë më se 30 fise shqiptare të tri besimeve fetare në një politikë të vetme për bashkimin e Shqipërisë dhe pavarësisë së saj”. Duke parë përpjekjet e Haxhiut për themelimin e shtetit shqiptar dhe duke parë se po u prishen planet dhe interesat e shteteve tjera të cilat ia kishin vënë syrin tokave shqiptare, qeveria turke e sulltan Hamidit me pëlqimin dhe në bashkëpunim me Beogradin dhe Cetinën e përgatitën likuidimin fizik të Haxhi Zekës. Për këtë akt, të kryer me 20 shkurt 1902, e gjetën Adem Zajmin, i cili kreu detyrën e marrë nga Beogradi. Akti ndodhi pas një zënke në Bashkinë e Pejës, ku Ademi i zuri pritën Haxhi Zekës me disa shokë të tij të paguar prej Serbisë, shtiu dhe e vrau rilindësin e dalluar të kombit shqiptar, Haxhi Zekën. Eshtrat e tij tani pushojnë në oborrin e Bajrakli Xhamisë, në Çarshinë e Pejës. Aty është ngritur një varrezë nga guri i përpunuar dhe me një pllakë përkujtimore me foton e Haxhi Zekës, ku shkruan emri dhe mbiemri i tij. Varreza është monument memorial nën mbrojtje të ligjit që nga viti 1976. Monumenti (varreza), është në gjendje të mirë dhe vizitohet nga shumë vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 001155

Emri: Varri i Haxhi Zekës (1902)

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Pejë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Pejë

Qyteti/Fshati: Pejë

Lokaliteti: Çarshija e Gjatë - Te Bajrakli Xhamia

Kodi Postar: 30000

Emri i rrugës: Çarshija e gjatë

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Moderne

Shekulli: XX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.