Kisha e Dëftimit të Shënë Mërisë (Kamenicë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012-2014

Historiku

Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë gjendet në fshatin Vaganesh dhe i takon periudhës së shek. XIII-XIV. Vaganeshi është një vendbanim me lartësi mbidetare mbi 750 m dhe gjendet rreth 20 km në veri-perëndim të Kamenicës. Për herë të parë si vendbanim me emërtimin Vaganexa, përmendet në vitin 1435, në librin e borxhlinjve të tregtarit Mikel Llukarit. Në kishë janë ruajtur dy mbishkrime që tregojnë kohën e ndërtimit, por në bazë të studimeve të deritashme supozohet se kisha fillestare i takonte periudhës së antikës së vonë ose mesjetës së hershme dhe i kushtohej Zonjës së Bekuar. Kisha ka planimetri drejtkëndëshe dhe përbëhet prej dy kthinave: naosit dhe narteksit. Narteksi është pjesë hyrëse e kishës e cila shërben si hajat dhe zë një sipërfaqe rreth 9 m2. Në këtë kthinë ndodhen disa piktura fretërish, të cilat janë të vendosura në faqen jugore të murit, ndërsa nga faqet tjera të mureve si duket janë hequr gjatë ndërhyrjeve që janë realizuar në këtë kishë. Një ngjyrë e dukshme me nuanca të bojëkafesë mbizotëron edhe në muret tjera, sikundër edhe në fasadën e jashtme të kishës. Pikturat kanë vlerën e tyre për origjinalitetin dhe paraqesin një atribut të rëndësishëm artistik të këtij objekti. Hyrja në narteks bëhet nga një portë e cila gjendet në pjesën perëndimore. Naosi ka një sipërfaqe katrore prej 17 m2, ka gjithsej tri hapje, në jug dhe veri, dhe hapja tjetër në pjesën lindore me gjysmëhark të dekoruar me tulla. Hyrja në naos bëhet nëpërmjet hapjes gjysmëharkore kah pjesa perëndimore. Absida e vendosur në murin lindor ka një hapje vertikale në mes të sipërfaqes së saj. Si nga brenda, edhe nga jashtë ka formë gjysmë rrethore. Para absidës ndodhet altari i punuar nga druri, ndërsa në dy anët e saj ndodhet nga një absidë e vogël, krahasuar me absidën kryesore. Struktura e kishës është punuar me gurë të latuar me ngjyrë kafeje të lidhur me llaç gëlqeror. Fasada është pjesërisht e suvatuar, por në pjesën më të madhe shihet struktura e gurit. Kulmi është dy ujor i mbuluar me pllakë llamarine, kurse nga brenda është punuar në formë qemeri gjysmë harkor. Sipas dëshmive, kisha është konservuar në vitin 1963. Mirëpo, gjatë vizitave të bëra në terren, është vërejtur se ndërhyje konservuese ka pasur edhe në kohët e mëvonshme, e sidomos kjo vërehet në mbushjen e fugave, në të ndarat e të cilave materiali lidhës është krejtësisht i ri.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000854

Emri: Kisha e Dëftimit të Shënë Mërisë

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kamenicë

Qyteti/Fshati: Vaganesh

Lokaliteti: Vaganesh (Kamenicë)

Kodi Postar: 62000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Mesjetë e Vonë

Shekulli: XIV

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.