Shtëpia e Abdyl Cakollit (Kamenicë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015

Historiku

Në fshatin Krilevë, komuna e Dardanës (Kamenicës), gjendet shtëpia e Abdyl Cakollit. Kjo shtëpi është ndërtuar kah fundi i shek. XIX. Arkitektura dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpie dëshmojnë kulturën e banimit të shqiptarëve në atë kohë. E ndërtuar në kodrinën e lagjes së sipërme të fshatit kjo shtëpi ka një pozitë gjeografike me pamje të shkëlqyeshme të terrenit. Shtëpia i ka dy etazhe. Përdhesja është e ndërtuar nga guri vendor me trashësi të mureve prej 70 cm, të përforcuara me breza horizontale druri në tri nivele. Muret e katit të parë janë të punuara nga tulla të pjekura, të përforcuara me shtylla vertikale, horizontale dhe të pjerrëta të drurit në stilin “bondruk”. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla të vjetra – qeramidhe. Shtëpinë e rrethonin edhe objekte të tjera përcjellëse si: hambari, qilari, koshi, plemja, pojata për bagëti të imëta, pusi etj. Hyrja kryesore e shtëpisë është në fasadën lindore të saj. Përmes korridorit bëhet lidhja me shtëpinë e zjarrit dhe me ahurin. Shtëpia e zjarrit kishte oxhakun, ndërsa në mure anash ishin ndërtuar dollapët për vendosjen e enëve. Ahuri e kishte hyrjen e vet të veçantë për hyrjen e kafshëve nga ana jugperëndimore. Përmes shkallëve të drurit në korridorin e përdheses bëhet lidhja vertikale me katin e parë. Në katin e parë përmes korridorit bëhet lidhja me katër dhomat e gjumit dhe me çardakun e shtëpisë. Dhomat janë mjaft të mëdha dhe me ndriçim e pamje shumë të mirë. Dy prej dhomave ishin të pajisura me hamame të vogla. Nevojtorja ishte jashtë shtëpisë bashkë me objektet e tjera përcjellëse. Çardaku i shtëpisë gjendet në anën jugperëndimore, ndërsa nën të në përdhese gjendej kthina që shërbente si kotec i pulave. Brendia e shtëpisë nuk është e ruajtur mirë pasi që shtëpia nuk përdoret më për banim. Mënyra dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, si dhe origjinaliteti i ruajtur, i japin kësaj ndërtese vlera të larta arkitektonike.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000828

Emri: Shtëpia e Abdyl Cakollit

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kamenicë

Qyteti/Fshati: Krilevë

Lokaliteti: Krilevë

Kodi Postar: 62000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.