Shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar (Kamenicë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015

Historiku

Shtëpia e Jusuf Ademit gjendet në Leshtar të komunës së Kamenicës. Në bazë të të dhënave gojore supozohet se shtëpia është ndërtuar para 150 viteve. Karakterizohet me arkitekturë popullore shqiptare. I pari i familjes së kësaj shtëpie quhej Mahmut Mërkonja, dhe vinte nga fshati Mërkonjë e Leskocit. Shtëpia i ka dy kate, përdhesen dhe katin sipër. E gjithë shtëpia është e ndërtuar me gurë, hatulla dhe llaç prej balte. Ndërtimi është i cilësisë së lartë, sidomos në punët e drurit (hatullat nga druri i bungut të shëndosha edhe sot, trarët dhe arkitrarët, si dhe dërrasat e tavaneve në të gjitha dhomat). Përdhesja i ka dy kthina, dhomën e zjarrit në jug dhe ahurin për kafshët. Në dhomën e zjarrit, gjendet oxhaku i punuar mirë, me disa dollapë të vegjël rreth tij, me dritare të vogla sa për ndriçim. Tavani i dhomës së zjarrit ka tri shtylla të vendosura në taban, të cilat e mbajnë arkitraun me kapitele të stilizuara. Mbi arkitraun janë trarët e shtruar me dërrasa. Fasada ballore e shtëpisë karakterizohet me një çardak të hapur, me parapet të trajtuar vetëm me dru dhe pesë shtylla që e mbajnë peshën e kulmit mbi të. Çardaku ka hyrjen nga ana veriore, dhe përmes tij kalohet në korridorin e gjerë që të shpie te katër dhomat e katit. Në fund të korridorit është qilari i shtëpisë. Dhomat e katit në fillim kanë qenë dhoma të fjetjes për katër gratë e pronarit. Më vonë janë bërë transformime në funksion: një dhomë është përdorur si odë, tjetra si dhomë e ndejës, në të cilën ka pasur edhe një trapazan. Dritaret e vogla të thurura me shufra hekuri janë ruajtur, por janë shtuar dritare të reja më të mëdha për shkak të ndriçimit. Kulmi i shtëpisë është katërujor, për shkak se përmasat e shtëpisë janë të mëdha 11.5 x 11.70 m dhe muret e gjera rreth 60 cm. Është i mbuluar me tjegulla të vjetra – qeramidhe. Sipas rrëfimeve të familjarëve dhe fqinjëve, kjo ndërtesë gjatë viteve 1916-1920 ka shërbyer si shkollë fetare e hapur nga Sherif Mërkonja - hoxhë. Supozohet që në të është mësuar edhe gjuha shqipe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kjo shtëpi ka shërbyer si shtab i italianëve. Në bodrum ishte vendosur kuzhina, ndërsa në kat banonin zyrtarët italianë. Pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia ka shërbyer vetëm për banim.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000800

Emri: Shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kamenicë

Qyteti/Fshati: Leshtar fshat afër Strezocit

Lokaliteti: Leshtar fshat afër Strezocit

Kodi Postar: 62060

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.