Shtëpia e Dobrunave-Polloshkave (Gjakovë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014

Historiku

Objekti është pjesë e tërësisë urbanistike "Çarshia e Madhe" dhe është ndërtuar në shek. XIX. Kjo shtëpi është tipike qytetare, e ndërtuar nga pjesa më e pasur e asaj kohe dhe ka shërbyer për banim, destinim të cilën e ka edhe sot. Etazhiteti i saj është P+1. Përdhesja është e ndërtuar nga gurët e latuar, ndërsa etazha nga tullat e pjekura të vendosura me llaç gëlqeror me fugë. Kulmi përbëhet nga konstruksioni i drurit dhe është i mbuluar me tjegulla tradicionale – qeramidhe. Hyrja në shtëpi arrihet përmes derës, korniza e së cilës është e punuar nga gurët e gdhendur, të vendosur në formë harku në pjesën e sipërme të derës. Fasadën e karakterizojnë çardaku i tipit të mbyllur, i cili është i vendosur mbi derën hyrëse, duke mundësuar njëherit krijimin e strehës, e cila e mbron hyrjen nga të reshurat atmosferike dhe dritaret që janë të vendosura në rend (njëra pas tjetrës) në të njëjtën formë si në përdhese. Dritaret janë nga druri dhe mbi kanë harkun e krijuar nga tullat e pjekura të vendosura në krah. Gjithashtu, vlen të ceket se mbarimi i fasadës është theksuar me përfundim me ancak, ku tullat janë vendosur në tipin - "dhëmbi i ujkut". Sa i përket anës konstruktive, themelet e objektit janë të punuara nga guri. Muret si në përdhes ashtu edhe në kat, janë nga materiali tullë e pjekur. Konstruksioni i ndërkatit është nga trarët prej drurit të bungut. Po ashtu, edhe konstruksioni i kulmit është punuar nga druri i bungut dhe i gështenjës. Dyshemetë, si në përdhese ashtu edhe në kat, janë të punuara nga dërrasat t= 5cm. Tavanet në përdhese janë të thjeshta (trarë të dukshëm dhe dërrasa). Kthina qendrore e objektit është oda e mysafirëve në kat, e cila dallohet me elemente të shumta dekorative të punuara nga druri si tavani, dollapët, raftet, shkallët etj. Në përdhese, në anën e djathtë të hyrjes kryesore, kemi ndërhyrje joprofesionale, me ç’rast dritaret origjinale janë ndërruar me dritaret e tipit modern. Intervenim tjetër që ka dëmtuar pamjen origjinale të objektit kemi në odën e mysafirëve, ku dollapët janë lyer me ngjyrë yndyrore të bardhë. Gjatë viteve 2013-2014 në objekt janë kryer punime konservuese – restauruese, me ç’rast shtëpisë i është rikthyer pamja origjinale.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000782

Emri: Shtëpia e Dobrunave-Polloshkave

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjakovë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjakovë

Qyteti/Fshati: Qytet-Gjakovë

Lokaliteti: "Çarshia e Madhe"

Kodi Postar: 50000

Emri i rrugës: Halit Asllani

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.