Manastiri i Moçarit (Kamenicë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 478/55

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012-2014

Historiku

Manastiri i Moçarit ndodhet në verilindje të Dardanës (Kamenicës), pikërisht afër fshatit Moçar. Sipas të dhënave ky manastir është ndërtuar në shek. XIV. Stili i ndërtimit i përket Shkollës së Moravës, stil ky që rezulton në pjesën e tretë të shekullit të katërmbëdhjetë, nën ndikimin e kishave të Dushanit, dhuratë e Shën Arkangjelit. Supozohet që ndërtimi i manastirit është bërë mbi themelet e një kishe më të vjetër që datonte nga shek. VI, sepse kisha të këtij tipi të ndërtuara në shekullin e V-VI i hasim që nga koha e Justinianit, por hulumtimet e hollësishme janë të nevojshme për verifikimin e këtyre supozimeve. Kisha është formësuar në formë të kryqit, me një kupolë mbi pjesën qendrore të shenjtërores, e cila nuk ekziston më. Në pjesën qendrore, në naos gjenden tri absida të vendosura në murin verior, lindor dhe atë jugor. Absidat nga jashtë janë trefaqëshe, të veshura me gurë të latuar, ndërsa, nga brenda kanë formë gjysmë rrethore. Në perëndim të naosit ndodhet holli në formë katrori. Anët gjatësore të naosit janë të ndara me shtylla vertikale, nga dy gjithsej. Shtyllat janë punuar nga guri, kanë bazë katrore dhe trung rrethor. Hyrja në naos realizohet nëpërmjet derës në murin perëndimor, nga narteksi. Manastiri ka edhe narteksin në pjesën perëndimore të naosit, i cili duket të jetë ndërtim i një periudhe të mëvonshme. Narteksi ka planimetri katrore me një hapje në murin jugor. Materiali për ndërtim është guri, llaçi prej gëlqereje dhe tullat e madhësisë së ndryshme, që kanë shërbyer jo vetëm për dekorim, por edhe për murosje, sidomos në formësimet harkore të hapjeve dhe lidhjeve të trarëve. Fasada e jashtme është e trajtuar me gurë të përpunuar, në të shumtën e rasteve gurët kanë formën e katërkëndëshit, e rrallë të katrorit, ndërsa në qoshe gurët kanë formën e shkronjës L. Duke vërejtur me kujdes lidhjen e gurëve të fasadës, shihet se në rastet kur dy gurë të caktuar kanë pozicion mbajtës, zakonisht janë sforcuar me lidhës hekuri. Të tjerët lidhen vetëm me llaç gëlqereje. Gurët e tillë dalin me fytyrë të përpunuar, sikundër dalin edhe anësoret e dritareve të vendosura në tri absidat e kishës. Përpos mureve të gurit, në kishë paraqiten edhe mure tullash dekorative. Muri më i dekoruar është muri i jashtëm perëndimor i kishës. Në të vërehet forma e halave të peshkut në dy radhë anash dritares së improvizuar me gjysmëhark dhe mbi atë formë paraqitet një dekorim tjetër, por kësaj here me tulla të madhësive të ndryshme. Anët gjatësore të naosit janë të ndara me shtylla vertikale, nga dy gjithsej. Ndërsa dy muret harkore nismën e kanë në murin perimetral të anës perëndimore pastaj vazhdojnë duke u mbështetur në dy shtyllat vertikale njëra pas tjetrës për të përfunduar në shtyllat vertikale që janë pjesë anësore të absidës lindore. Shtyllat e fundit janë të ndërtuara vetëm me tulla. Përndryshe, analogjia na thotë se shtyllat kanë qenë të lidhura me harqe duke formuar harkaten. Në perëndim të kishës ndodhen mbetje ndërtesash, nga të cilat dallohen kthinat e depos për ushqim, salla për ushqim dhe biblioteka, ndërsa në kat ndodheshin kthinat për fjetje. Në veri dhe në jug ndodhen mbetjet e konakut me treme. Ndërsa në anën lindore dhe jugore kanë qenë kthinat për bagëtitë dhe depot e ushqimit të tyre, si hambarët dhe stallat e kafshëve. Konstruksioni i objekteve përcjellëse është ndërtuar në mënyrë dhëmbëzore nga anët e murit, ndërsa mbi të janë vendosur trarët prej druri të konstruksionit mes-katesh. Tipi i kulmit të objekteve përcjellëse nuk mund të identifikohet për shkak se është i rrënuar. Në përbërje të kompleksit janë edhe dy kulla disa katesh. Atriumi ka një pus në qendër. Në vitin 2008 është kryer incizimi i lokalitetit nga një ekip profesionist arkeologësh nga Maqedonia. Gjatë këtij incizimi janë konstatuar kanale të nëndheshme, të cilat janë shfrytëzuar për lidhje të kthinave. Njëri kanal, ai që lidh kishën me objektet e konakut, e ka daljen tek absida lindore. Kanali është 1.5 m i lartë, ndërsa gjatë përcjelljes së tij, është parë vetëm një çekan dhe dy gurë të rrëzuar në pjesë të caktuar, ndërsa pjesa tjetër e kanalit është e paprishur. Kanali kalon nën naos të kishës dhe pas daljes nga naosi bën një kthesë për 90° për tek konaku.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000780

Emri: Manastiri i Moçarit

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Kamenicë

Qyteti/Fshati: Moçarë

Lokaliteti: Moçarë-(Kamenicë)

Kodi Postar: 62000

Emri i rrugës: P.N.

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Mesjetë e Vonë

Shekulli: XIV

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.