XHAMIA E MAHMUT PASHËS (Gjakovë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014

Historiku

Xhamia e Mahmut Pashës gjendet në pjesën e quajtur "Çarshia e Vogël" e qytetit të Gjakovës. Objekti është ndërtuar në mes të viteve 1832-1836 nga Mahmut Pasha, i familjes gjakovare të Kurtpashëve, familje kjo me nam në të gjitha trojet shqiptare. Vetë pozicioni i këtij objekti i jep xhamisë një pamje madhështore. Nisur nga hapësirat që posedon ky objekt, në të përveç riteve fetare në pjesën nga sheshi gjenden disa zyre që shërbejnë për punë administrative. Nisur nga madhësia e objektit në planimetri, ky objekt mund të karakterizohet ndër objektet më të mëdha të këtij lloji. Xhamia posedon dy hyrje: hyrja kryesore gjendet në anën veriore të objektit, ku fillon hajati me një triem të ngritur në dy shkallë guri dhe mure të dekoruara me afreske. Hyrja në samahane bëhet nga një portal me shumë dekorime dhe kolorit. Samahanja në vete përmban të gjitha elementet karakteristike që i posedon xhamia si: minberi, mihrabi, mahvili, qyrsa dhe shumë afreske, disa orientale, e disa të tjera të punara më vonë. Samahanja mbulohet me një kupolë madhështore, e mbështetur në padantife dhe me dekorime të shumta. Hyrja sekondare është nga sheshi dhe shërben për qasje në pjesën administrative të Xhamisë, ndërsa në të dyja anët e hyrjes ndodhen dyqanet. Të veçantë këtë objekt e bëjnë dymbëdhjetë dritaret në rend, në fasadën kryesore (kah lindja), që karakterizohen me një ram prej drurit si dizajn i veçantë. Ndërsa, në fasadën jugore kemi vetëm katër hapje: dy katërkëndëshe dhe dy të tjera që mbarojnë me harqe, si dhe një e vogël e rrumbullakët. Po ashtu, e ka edhe strehën e theksuar që arrin gjatësinë 2m, dhe është e veshur me dërrasa. Minarja me dy sherefe plotëson pamjen impozante të xhamisë, meqë është unikate në rajon. Minarja është e punuar nga materiali i gurit, por për momentin është e fasaduar. Materialet e përdorura në xhami janë: guri në përdhese, kurse kati është i ndërtuar nga qerpiçi. Konstruksioni i kupolës dhe i kulmit janë të ndërtuara nga materiali i bungut kualitativ. Në vitin 1993 ka pasur disa intervenime të pjesërishme në fasadë dhe lyrjen e sipërfaqes drunore me qëllim të mbrojtjes së këtij objekti.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000605

Emri: XHAMIA E MAHMUT PASHËS

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjakovë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjakovë

Qyteti/Fshati: Qytet-Gjakovë

Lokaliteti: "Qarshia e Vogël"

Kodi Postar: 50000

Emri i rrugës: "Nënë Tereza"

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.