Shtëpia e Zija beut (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015

Historiku

Shtëpia e Zija Beut gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në lagjen e vjetër të “Arastës”. Gjendet afër minares “Arasta”, Hamamit dhe Xhamisë së Gazi Mehmet Pashës, Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe shtëpive tradicionale. Shquhet si shtëpia e Emin Zija Beut meqenëse mendohet që ishte një personalitet me status të lartë në shoqërinë e shek. XIX. Në një periudhë të mëvonshme, shtëpia kalon në pronësi të familjes Pehlivani, të cilët gjatë viteve 1936 ia shesin shtëpinë familjes Burgija. Supozohet se shtëpia është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. I takon tipit të shtëpive me çardak në një krah, një nga shembujt e rrallë që ruhet akoma në Prizren. Shtëpia me pjesën ballore është e orientuar kah perëndimi. Është e ndërtuar në dy kate, ku në përdhese gjendet hajati i hapur prej nga shtrihen shkallët që shpijnë në çardak, në kat. Në përdhese gjenden dy dhoma, njëra me pamje kah fasada ballore dhe tjetra gjendet në pjesën pas hajatit. Konstruksionet e mureve në përdhese, me trashësi 75-80 cm, dhe në kat, me trashësi 20 cm, janë të ndërtuara prej qerpiçi. Ndërsa konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Fasada ballore ka një trajtim të lartë artistik, ku vërehen elemente të punuara me mjeshtëri. Prej elementeve që mund t’i veçojmë në fasadën ballore janë trari dekorativ nga druri i vendosur ndërmjet dy kateve, i dekoruar me drugdhendje me motive gjeometrike, çardaku i rrethuar me gardh dhe shtylla druri, gjithashtu të dekoruara me drugdhendje, shtyllat nga druri me kapitel të dekoruar, tavani i dekoruar mbi hapësirën e çardakut, shkallët që shpien në çardak që mbyllen me kapakë druri. Në enterier janë ruajtur elementet origjinale me disa adaptime të vogla që janë bërë gjatë kohës. Tavanet nëpër dhoma janë punuar nga druri duke u pasuruar me dekorime me drugdhendje. Një pjesë e dhomave kanë tavan të dekoruar me rozë në mes, të ashtuquajtur “gjyl tavan”, me elemente të profilizuara të drurit. Tavanet e dekoruara i hasim në dhomën e pritjes në përdhese, dhomat e gjumit në kat dhe në tavanin e çardakut. Në shtëpi gjenden pajisjet e paluajtshme: trari në mes të dy kateve i veshur me dërrasë dekorative, shtyllat me kapitele të hajatit dhe të çardakut, rrethojat e çardakut, oxhaku, tavanet dekorative dhe të thjeshta, raftet, dollapët, jyklykët dhe minderi prej druri. Shquhen dy tavane të punuara prej druri. Rozat në qendër dhe katër kënde janë të punuara me drugdhendje, me motive florale. Pajisjet e luajtshme: sofra prej druri, qilimi, një enë bakri me kapak dhe një enë bakri pa kapak e zbukuruar me gravurë, dy kazanë të hamamxhikut dhe dy tepsi prej bakri, dy orë të vjetra etj. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri i vogël dhe një godinë e ndërtuar më vonë, e cila shërben si çajtore. Në vitin 2014 u restaurua konstruksioni i kulmit për të eliminuar dëmtimet e mundshme të shtëpisë. Shtëpia është akoma e banueshme.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000566

Emri: Shtëpia e Zija beut

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: Pranë Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: “Xhemil Doda”

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.