Shtëpia e Ymer Prizrenit (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015

Historiku

Shtëpia e Ymer Prizrenit gjendet në pjesën juglindore të qytetit, në zonën e qendrës historike të Prizrenit. Gjendet në lagjen e “Rahlinit”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Në afërsi të shtëpisë gjendet shtëpia tradicionale e Mustafë Drinit, shtëpitë e tjera për banim si dhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shtëpia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe e ndërtuar në kat, në formë asimetrike. Qasja mundësohet nga rruga përmes derës hyrëse apo portës hyrëse prej druri, ku mbi këtë hapësirë ndodhet hambari. Konstruksionet e mureve në përdhese, me trashësi 90 cm, dhe në kat, me trashësi 20 cm, janë të ndërtuara prej qerpiçi. Ndërsa konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Shquhet tavani i një dhome në kat, ku sipas pronarëve mendohet se është punuar nga vetë Ymer Prizreni, me allçi, me motive florale dhe i ngjyrosur me ngjyrë të kaltër. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Kulmi është dyujor i mbuluar me tjegulla të luguara. Në enterier gjenden pajisjet e paluajtshme: tavani dekorativ, tavane të thjeshta, raftet, shtyllat, musëndra, dollapët,jyklykët, hamamxhikët në kat dhe në përdhese, minderet dhe varëset prej druri, stufa, oxhaku dhe kazani i banjës prej bakri. Pajisjet e luajtshme: arka dhe sofra prej druri, qilimi, dybeku prej guri, kazani, kusia dhe tava e madhe prej bakri. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri i vogël, jazi i mbyllur, çezma, ambari, një shtëpi e ndërtuar në shekullin XX, si dhe ahuri, e cila është pjesë e vëllimit të shtëpisë dhe ka qasje nga oborri, konkretisht afër portës hyrëse. Sot shtëpia gjendet në fazën e restaurimit. Shtëpia ka rëndësi të veçantë historike, sepse këtu ka jetuar dhe vepruar Ymer Prizreni, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Enterieri i shtëpisë ka objekte origjinale të punuara në mënyrë arkitektonike-artistike.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000510

Emri: Shtëpia e Ymer Prizrenit

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: Lagjja “Rahlin”

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: “Ardian Zurnaxhiu” nr. 22

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli:

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.