Shtëpia e familjes Pomaku (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 03.04.2003

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Historiku

Shtëpia e familjes Pomaku ndodhet në lagjen e vjetër Saraçhane, në qendër të Zonës Historike të Prizrenit. Është ndërtuar gjatë shek. XVIII. Kjo shtëpi është simbol i arkitekturës tradicionale të banimit, me elemente karakteristike të cilat vërehen si në eksterier ashtu edhe në enterier. Objekti është i ngritur në etazh. Për dallim nga shtëpitë tjera të kësaj periudhe, këtu përdhesa është shfrytëzuar si hapësirë ekonomike. ku gjenden kuzhina me oxhak si dhe hapësira për ruajtjen e ushqimit dhe veglave të punës. Lidhja me katin e parë realizohet nëpërmjet dy lidhjeve: shkallët e brendshme nga druri që lidhin përdhesën me katin, dhe shkallët e jashtme nga guri që gjenden në fasadën lindore dhe krijojnë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet oborrit dhe katit. Kati i parë shfrytëzohet për banim, ku gjenden hajati në këndin veri-lindor, i cili fillimisht ka qenë i hapur por me kalimin e kohës është mbyllur me dritare dhe tri dhoma të lidhura me një paradhomë. Dhomat e katit të sipërm dalin të shkëputura në formë konzolle, mbi volumin e katit përdhe, me përmasa të ndryshme - njëra del më shumë e tjetra vetëm pak. Struktura e ndërtesës është ndërtuar me kombinim të gurit në përdhesë dhe sistemit bondruk (qerpiç dhe dru) në kat. Konstruksioni i kulmit është katër ujor nga druri, i mbuluar me tjegulla nga argjila, dhe strehë të gjerë që dalin nga perimetri i mureve në gjatësinë rreth një metër. Dritaret kanë kornizë druri dhe nga jashtë kanë nga një gardh metalik të dekoruar. Dyshemeja në përdhesë është dheu i shtypur, ndërsa në kat nga dërrasat. Enterieri karakterizohet me artin aplikativ si: tavanet të punuar me drugdhendje, dollapët, jyklyqet, raftet, shtyllat dekorative prej druri të cilat janë të zbukuruara me elemente gjeometrike dhe florale. Nëpër dhoma ndodhen edhe oxhaqet e muratosura (qymlekllëk) që shërbenin për ngrohjen e ujit në hamagjik. Oborri është shtruar më kalldrëm, ku gjenden gjurmët e përroit ku rrjedhte uji i Lumbardhit, si dhe në anën veriore kah rruga është ruajtur objekti i hambarit i ndërtuar në kat. Shtëpia e Familjes Pomaku karakterizohet me integritetin kompozicional të ruajtur duke filluar nga porta e oborrit, hambari, oborri i shtruar me kalldrëm dhe shtëpia. Kjo shtëpi me pozitën e saj, përmbajtjet përcjellëse në oborr ka ruajtur në masë të madhe autenticitetin e tij, dhe paraqet një prej shembujve më karakteristik të shtëpisë qytetare të shek. XVII-XIX në Prizren.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000506

Emri: Shtëpia e familjes Pomaku

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: Saraçhana

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: Saraçëve

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVIII

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.