Kompleksi i Teqesë Sinani (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015

Historiku

Kompleksi i Teqesë Sinani gjendet në pjesën jugperëndimore të Prizrenit, në lagjen e “Terzinjve”. Teqeja e tarikatit Sinani është themeluar nga sheh Ali Efendi Rexhep Koro në vitin 1768, ndërsa pasuesit e tij ishin Sheh Mahmudi, Sheh Aliu, Sheh Ganiu, Sheh Hysejini dhe Sheh Abdyrrahimi. Kompleksi shtrihet në një sipërfaqe rreth 22 ari, ku në pjesën perëndimore gjenden rrënojat e teqesë me semahanen – sallën e lutjeve, hajatin dhe mutfakun – kuzhinën, kurse në anën lindore gjendet tyrbja dhe varrezat e vjetra, me mbishkrime në gjuhën osmane. Në pjesën lindore të kompleksit gjenden varrezat e vjetra të shehlerëve dhe dervishëve, dhe të disa figurave të rëndësishme historike nga periudha osmane, sikurse varri i Malkoç Babës, komandant i ushtrisë osmane gjatë shek. XVI; varri i Mehmet Efendiut, i cili supozohet të jetë themelues i parë i teqesë. Tyrbja ka planimetri drejtkëndëshe. Në murin lindor është i vendosur pusi i punuar nga gurët lumorë me planimetri rrethore. Karakteristikë e këtij pusi është se gjysma e bazës gjendet brenda tyrbes kurse gjysma tjetër jashtë saj. Tyrbja ka trajtim të thjeshtë të fasadave, përpos këndit veriperëndimor, i trajtuar me një punim skulptural me forma gjeometrike në trajtë të shkallëzuar. Varrezat e vjetra kanë mbishkrime në gjuhën osmane të skalitura në gurë mermer të formave të ndryshme. Mbishkrimet janë punuar me një mjeshtëri të lartë artistike, në stilin “sulus” dhe “talik”. Pas vdekjes së Sheh Abdyrrahmanit në fund të shek. XX, ky kompleks ka humbur funksionin si teqe e besimtarëve të tarikatit Sinani. Si pasojë e mungesës së funksionit dhe mirëmbajtjes, kompleksi është në gjendje mjaft të vështirë fizike.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000417

Emri: Kompleksi i Teqesë Sinani

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: “Terzi-Mëhallë”

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: “Ismet Jashari- Kumanova”

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVIII

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.