Xhamia e Mbretit (Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II, Xhamia e Madhe) (Prishtinë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Tjetër Data e Mbrojtjes: 848/1953

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2013

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2015

Historiku

Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II gjendet në bërthamën e qytetit të vjetër të Prishtinës, në afërsi të Hamamit të Madh (shek. XV), Sahat Kullës (shek. XIX), ndërtesës së vjetër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (shek. XIX), të shpallura monumente të trashëgimisë kulturore. Është ndërtuar sipas urdhrit të Sulltan Mehmet Fatihut II - Pushtuesit. Mbishkrimi i shkruar në alfabetin arab në gjashtë rreshta i cili ndodhet mbi portalin e hyrjes si datë të saktë të ndërtimit jep vitin 1461, sipas kalendarit gregorian, përkatësisht hixhrën 865 sipas kalendarit arab. Në popull njihet me emrin Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Madhe. Gjatë luftërave austro - turke në fund të shek. XVII është shndërruar në kishë katolike. Këtu ka qenë i varrosur Pjetër Bogdani, njëri ndër shkrimtarët me të shquar shqiptarë. Pas humbjes së luftës së austriakëve në vitin 1690 eshtrat e shkrimtarit zhvarrosen dhe hedhen në rrugë nga ushtria turke, dhe ndërtesës i kthehet funksioni i mëparshëm. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria gjermane ka bërë meremetime në brendinë e xhamisë. Kjo shihet nga pikturimi i kryqit të thyer mbi portën e hyrjes. Bazuar në monumentin, konstruksionin, mënyrën e ndërtimit dhe elementet dekorative radhitet ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës islame në Evropën Juglindore. Në oborrin e xhamisë gjendet edhe një shatërvan i ndërtuar në vitin 1996. Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut me objektet ndihmëse zë sipërfaqe prej 577 m2. Është ndërtuar me gurë të gdhendur ranorë të ngjyrës së verdhë. Muret nga ana e brendshme janë veshur me tulla të lidhura dhe të suvatuara me llaç gëlqereje. Trashësia e mureve arrin 180 cm. Xhamia përbëhet prej një hapësire në trajtë drejtkëndëshi me përmasa 14.14 x 14.14 m, kupolës me diametër 13.50 m e ngritur mbi katër pandativa, minares së lartë 38.20 dhe portikut reprezentativ. Mund të thuhet se kupola Xhamisë së Madhe është një ndër kupolat me të mëdha të objekteve të shek. XV dhe me zgjedhje më të suksesshme arkitektonike në Evropën Juglindore. Në pjesën e brendshme gjendet mihrabi, mimberi dhe mahvili. Për vlera artistike shquhet sidomos mahvili i drurit i zbukuruar me friz në formë stalaktitesh dhe me ornamente gjeometrike. Portiku i xhamisë peshon mbi shtylla ortogonale ndërsa në pjesën e sipërme mbulohet me kupola. Kupola qendrore dhe kupolat e portikut janë të mbuluara me llamarinë të zinkuar. Brendia e xhamisë ndriçohet nga hapjet e dritareve të mëdha në tri zona të mureve dhe nga 12 hapje të vogla të kupolës. Kalota e kupolës qendrore, sipërfaqet e pandativave, sipërfaqet rreth dritareve, kupolat dhe pandativët e portikut janë pikturuar më ngjyra të larmishme me motive bimore në teknikën al seko. Në aspektin arkitektural, hapësinor, strukturor dhe dekorativ, ndërtesa ruan të gjitha tiparet që nga koha e ndërtimit. Është një ndërtesë unike dhe dominuese në peizazhin e qytetit të Prishtinës. Në ditët tona ky monument na vjen me një sërë ndërhyrjesh riparuese, ndër të cilat vlen të përmendet restaurimi i viteve 1682/’83 – gjatë sundimit të Sulltan Mehmetit IV, si dhe ndërhyrjet riparuese pas tërmetit të vitit 1955. Që nga koha kur ky monument është shpallur nën mbrojtje të shtetit (1953) nga Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve xhamia ishte në gjendje jo të mirë, prandaj gjatë viteve 1955 dhe 1990 nga i njëjti institucion janë realizuar ndërhyrje të pjesshme konservimi me karakter shpëtimi / konsolidimi. Më qëllim konservimi/restaurimi të kësaj ndërtese, në vitin 2004 një ekip i specializuar nga Turqia ka përgatitur Studimin/Planin e Konservimit/Restaurimit i cili në vitin 2006 është aprovuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe Turqisë.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 002766

Emri: Xhamia e Mbretit (Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II, Xhamia e Madhe)

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK - Prishtinë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prishtinë

Qyteti/Fshati: Prishtinë

Lokaliteti:

Kodi Postar: 10000

Emri i rrugës: Ibrahim Lutfiu, ish"Nazim Gafurri" pa Nr.

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XV

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.