Kisha e Shën Anës në Dunav (Gjilan)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2006

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015

Historiku

Në fshatin Dunav të Epërm të komunës së Gjilanit gjendet kisha e Shën Anës. Kisha e Shën Anës është ndërtuar në vitin 1938, në të njëjtin vit kur është ndërtuar edhe xhamia e fshatit. Është kjo kishë e vetme katolike në komunën e Gjilanit, e cila që nga viti 2014 gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme. Kisha e Shën Anës e ka një pozitë shumë të mirë gjeografike: gjendet në afërsi të kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës, Serbisë e Maqedonisë, si dhe ka një lartësi mbidetare prej 800 metrash. Ka një oborr të trajtuar mirë, të rrethuar me plepa, pisha, e drunj bliri. Rreth 300 metra larg kishës gjenden varret e fshatit. Baza e kishës është e ndërtuar nga gurët, ndërsa muret e saj nga tullat dhe llaçi i gëlqeres. Muret janë të veshura me gurë shtufi ngjyrash të ndryshme, të rrethuara me llaç vazhdues me hulliza në formë fugash. Në anën e majtë të hyrjes është kambanorja e saj katrore e ngritur në një lartësi prej 12 metrash. Në fasadën e kambanores ndodhet një nishë që është e lartë përafërsisht sa dera hyrëse. Mbi nivel të nishës, në të katër fasadat e kambanores, ndodhet nga një dritare e ngushtë. Nga aty kambanorja ngushtohet dhe përfundon me kulm mbi të cilin gjendet kryqi. Mbi derën hyrëse është një pllakë e thjeshtë në të cilën shkruan emri dhe data e ndërtimit të kishës “Kisha Katolike e Shën Anës, 1938”. Anash derës hyrëse janë dy dyer të mbyllura: para rinovimit të fundit (më 2012) njëra komunikonte me kambanoren ndërsa tjetra lidhej me rrëfyestoren. Tashmë është krijuar një korridor i ngushtë nga i cili hyhet drejtpërdrejt në sallë të lutjes sepse kisha është njëaniatëshe. Në të vërtetë në sallën e lutjeve mund të hyhet nga tri hyrje paralele që paraqesin një lloj tribeloni, por pa arkada. Në të dy anët ndodhen bankat për t’u ulur njerëzit, duke e krijuar kështu një korridor në mes për lëvizje. Salla e lutjeve përfundon me absidën gjysmërrethore si nga brenda, si nga jashtë. Anash absidës ndodhen dy kthina ndihmëse. Në ballë të absidës gjendet një dritare drejtkëndëshe, kurse në muret anësore gjenden nga tri dritare, por ndriçimi në kishë në përgjithësi nuk është i mjaftueshëm. Në dyshemenë e ngritur me dy shkallë, e cila ndodhet në pjesën e absidës, qëndron i ngritur altari. Kulmi i kishës është dyujor, ndërsa një kulm më i ulët i përket absidës. Kulmi është riparuar në vitin 2012, kur i janë shtuar edhe ulluqet. Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-1999 ndërtesa e kishës ka shërbyer si spital.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000180

Emri: Kisha e Shën Anës në Dunav

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjilan

Qyteti/Fshati: Dunav

Lokaliteti: Dunav

Kodi Postar: 60000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Moderne

Shekulli: XX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.