Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda (Prishtinë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1955

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Historiku

Lokaliteti antik romak dhe bizantin i Ulpianës është pa mëdyshje njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ilirik. Shtrirja pranë depozitimeve minerare/ xehetare të pasura me metale të çmueshme, pozicionimi me toka pjellore dhe peizazh piktoresk përreth saj, si dhe pozita kyçe gjeostrategjike në një udhëkryq rrugësh antike që lidhte lindjen me perëndimin, ishin faktorë përcaktues për themelimin, zhvillimin dhe ekzistencën e saj shekullore. Gjatë periudhës romake, Ulpiana ishte njëra nga qendrat kryesore gravituese komunikuese në mes të Konstantinopolit dhe Romës dhe pikërisht shumë pranë qytetit antik bëhej kryqëzimi i rrugëve që lidhte detin Adriatik me detin Egje dhe indirekt edhe me Detin e Zi. Për më tepër, është e njohur nyja komunikuese Via Lissus-Naissus dhe ajo e Scupit, rrjete këto komunikuese tokësore që takoheshin mu pranë Ulpianës. Jeta dhe gjurmët e para të civilizimit në Ulpianë janë dëshmuar që nga periudhat e hershme parahistorike, por duhet vënë theksin posaçërisht në periudhën e njohur me zhargonin e arkeologëve si periudha e bronzit dhe ajo e hekurit, apo e njohur ndryshe si lashtësia dardane. Megjithatë, formën e një qendre të urbanizuar Ulpiana e arrin disa dekada pas pushtimit të Mbretërisë Dardane nga romakët, gjegjësisht në fund të shekullit të parë të erës sonë dhe zhvillohet nga një vendbanim i lashtë dardan apo opidum i koncentruar, në një vendbanim të gjerë dhe të hapur e mjaft të organizuar, ku shfaqen atributet e një qyteti tipik romak. Në lidhje me themelimin e kësaj qendre arkeologjike mendohet se në vitin 169 e.s. Ulpiana e fiton statusin e municipit (Municipium Ulpianum). Sidoqoftë, Ulpiana zhvillimin më të madh e ka arritur në periudhën në mes të shekujve III dhe IV të e.s. periudhë kjo kur shndërrohet në një qendër të fortë politike, ekonomike dhe kulturore të një territori të gjerë në brendësi të Dardanisë duke u bërë pika kyçe e përhapjes së civilizimit antik. Qyteti në fjalë gjatë kësaj periudhe kohore gëzonte epitetin Municipum Ulpiana Splendissima - municipi i Ulpianës madhështore apo të shkëlqyeshme, duke u karakterizuar me rrjete të rrugëve të drejta, sistem ortogonal, ujësjellës, objekte të banimit si dhe me objekte publike, sakrale, profane e utilitare, gjithnjë duke qenë qendër urbane me rëndësi metalurgjike, zejtare, tregtare e bujqësore gjatë 5 shekujve të parë të mileniumit të parë, e posaçërisht gjatë sundimit të perandorit Justinian në shekullin VI, kohë kjo kur riemërohet në Justiniana Secunda. Sa u përket hulumtimeve arkeologjike, që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e këtej, qyteti antik i Ulpianës ka qenë në vazhdimësi areal studimi nën llupën dhe kazmën e arkeologëve vendorë, por edhe të huaj, dhe deri më tani janë zbuluar disa monumente kulti dhe objekte sakrale, pjesë të mureve rrethuese së bashku me kullat mbrojtëse, castrum apo garnizoni ushtarak romak, pastaj qindra fragmente të gjetjeve/artefakteve të llojllojshme si në formë, material e destinim, por edhe mbetje njerëzore, struktura dhe elemente arkitekturale, të gjitha këto dëshmi të kulturës materiale shumë të rëndësishme për fushën e arkeologjisë, të cilat pjesërisht janë studiuar, por që do të studiohen sistematikisht edhe në të ardhmen edhe nga specialistë të disiplinave të ndryshme shkencore që i kontribuojnë shkencës së madhe të arkeologjisë. Meqenëse shekulli ynë është shekulli i inovacioneve teknike dhe shkencore, Ulpiana iu është nënshtruar studimeve të elaboruara me mjete shumë të sofistikuara hulumtuese që në thelb janë jointrusive ose metoda pa ndërhyrje fizike, kjo falë një bashkëpunimi në mes të Institutit Arkeologjik Gjerman dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës në anën tjeter. Incizimet gjeofizike janër kryer me metodën e Fluxgate Magnetometer, gradiometër, gjeoradar e të ndërlidhura me GIS, duke incizuar mbi 50 hektarë tokë me potencial arkeologjik të arealit të Ulpianës. Përveç karakterit shkencor, këto incizime nëntokësore do të ndihmojnë edhe në planifikimin e projekteve të ardhshme arkeologjike, e sidomos për krijimin e kushteve dhe përpilimin e planeve zhvillimore për promovimin e turizmit kulturor apo të njohur në botë si arkeoturizëm, që si parakusht ka ngritjen e sistemit të infrastrukturës turistike në parqet arkeologjike. Në anën tjetër, këto kërkime do të ndihmojnë edhe në identifikimin e shtrirjes, përcaktimin e karakterit dhe natyrës shumështresore arkeologjike të Ulpianës.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 002120

Emri: Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda

Klasa: Lokalitet Arkeologjik

Institucioni: IAK

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prishtinë

Qyteti/Fshati: Graçanicë

Lokaliteti: Ulpiana

Kodi Postar:

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkeologjike

Periudha: Romake

Shekulli: II

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.