Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës) (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 352/48

Lloji i Mbrojtjes: Lista e Trashegmisë Botërore e UNESC-os Data e Mbrojtjes: 2006

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012 - 2014

Historiku

Kisha e Shën Premtes, e cila gjendet në Zonën Historike të Prizrenit, u rindërtua me urdhërin e mbretit Millutin, më 1306/7. Punët meremetuese u udhëhoqën nga mjeshtrit e njohur të asaj kohe, Nikolla dhe Astrapa, të cilët e pasuruan kishën me një shprehje specifike dhe të pasur arkitektural dhe artistike përmes kombinimit të stilit Bizantin dhe atij të Rashkës. Shkencëtarët për vjetërsinë e kishës pothuajse pajtohen se kjo kishë është rindërtuar mbi një tempull të vjetër. Supozohet se themelet e kishës paleokristiane të fazës së parë (shek. V-VI) e më pas të bazilikës Bizantine (shek. IX), vihen mbi themelet e tempullit Pagan (para erës sonë) të përkushtuar hyjneshës ilire të plleshmërisë dhe lindjes: Prema apo Premta. Pas rindërtimit të kishës nga mbreti Millutin, serbët përdorën emrin e mëparshëm të kishës, por gjithashtu bënë përshtatjen e saj nga Shën Premta në Sveta Petka, kurse emri Sveta Bogorodica Levishka lidhet me rrjedhën e Lumbardhit, ku kjo kishë ndodhet në anën e majtë të tij. Pas rënies së Prizrenit nën Perandorinë Osmane, në vitet 1455/59 dhe shndërrimit të saj në xhami emërtohet si Xhuma Xhami, emra këta që përdoren në popull edhe sot e kësaj dite. Faltorja e re u ndërtua mbi planimetrinë e kryqit. Sipas teknikës së ndërtimit kjo Kishë i takon Kishave të stilit të Bizantit të vonshëm. Fillimisht ajo ishte trianiatëshe, gjatë rindërtimit të vitit 1306/7 iu shtuan edhe dy kupola me ç’rast formohen pesë aniatat. Aso kohe në anën perëndimore ndërtohet eksonartreksi me kambanarë. Muret e brendshme të kishës janë të pasura me afreska. Shtresa e parë e afreskave i takon periudhës mesjetare Bizantine ku mbizotërojnë shqiponjat dykrenare. Në shtresat e mëvonshme, dominojnë kompozicionet me motive biblike dhe të personaliteteve nga dinastia e Nemanjidëve etj. Në rrjedhat e kohës me shndërrimin e saj nga kisha në xhami ajo përjetoi disa ndryshime si: - u suvatuan muret e brendshme, - u mbyllën disa dritare, - iu hoq absida, - u ndërtua minarja mbi kambanarë. Me luftën e parë Ballkanike më 1912 xhamia rikthehet në kishë. Minarja e saj u rrënua më 05.06.1923. Më 1948 vihet nën mbrojtjen e ligjit me numrin 352. Në vitet 1950-‘52 u bë restaurimi-konservimi i tërësishëm i objektit dhe afreskave. Atëherë u bënë edhe gërmime arkeologjike në objekt dhe oborr. Pas këtyre ndërhyrjeve objekti shndërrohet në muze. Në vitet ‘70-‘80 pati restaurime - konservime të objektit dhe freskave murale. Objekti pati dëme nga zjarri, në brendi dhe kulm të saj më 2004. Gjatë viteve 2005-2008 është bërë restaurimi i saj nga Komisioni për Implementim të Rekonstruimeve për Lokalitetet Religjioze Ortodokse Serbe në Kosovë. Kjo kishë, është i vetmi monument në qytet, që hyri në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s, në vitin 2006.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 001974

Emri: Kisha e Shën Premtës (Kisha e Levishës)

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: Jeni-mahallë (Atik mahalla)

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: Sahat Kulla

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Mesjetë e Vonë

Shekulli: XIV

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.