Hidroelektrana - Muzeu i Elektroekonomisë (Prizren)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 50/77

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Historiku

Në ambientin piktoresk të Grykës së Lumbardhit, 2.5 km larg Prizrenit gjendet objekti i Hidro-elektranës “Prizrenasja”. Është ndërtuar në vitin 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa është projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake. Objekti ka pasur elementet moderne të asaj kohe: turbinat e ujit, pjesën për pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin, pajisjet për përcjelljen e ujit gjer në turbinë dhe gjeneratorin me fuqi 160 KW. Për shkak të kërkesës së madhe të energjisë elektrike më 1936 është lëshuar në qarkullim gjeneratori i dytë me kapacitet të njëjtë. Objekti është formësuar në dy kate, në përdhesë është kthina e madhe ku janë të vendosura dy gjeneratorë dhe pajisjet tjera përcjellëse, kurse në dhomën tjetër kanë qenë aparatet për përcjelljen e rrymës. Në katin e epërm ka qenë dhoma e inxhinerit që ka qenë edhe mbikëqyrësi i hidroelektranës. Fillimisht një pjesë e katit të parë ka qenë e mbuluar me kulm të rrafshët, dhe qasja në kulm realizohej nga ana veriore e dhomës së inxhinierit. Më vonë kulmi i rrafshët është mbuluar me kulm të pjerrtë një ujor të mbuluar me tjegulla argjile. Arkitekti austriak ka zgjedhur vendin më të përshtatshëm për shfrytëzimin e ujit dhe është munduar që objektin industrial ta përshtatë me ambientin duke dhënë formën e një kështjelle si inspirim nga Kështjella e Epërme që gjendet në afërsi. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin stil janë ndërtuar edhe dy trafostacione që kanë shpërndarë rrymën nëpër qytetin e Prizrenit. Objekti është ndërtuar nga gurët e latuar të lidhur me llaç gëlqeror, me këndet e punuara me tulla të plota. Konstruksioni meskatësh është punuar nga druri. Kulmi i rrafshët është punuar me beton të armuar. Dritaret kanë formë drejtkëndëshe, me hapje gjysmëharkore në pjesën e sipërme. Dera hyrëse në përdhesë është punuar nga dru bungu, me hapje gjysmëharkore në pjesën e sipërme. Hidroelektrana ka furnizuar qytetin e Prizrenit me rrymë elektrike prej vitit 1929 deri në vitin 1973. Në vitin 1979 kjo ndërtesë e rëndësishme për historinë industriale të qytetit është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Gjatë adaptimit të ndërtesës në muze janë bërë punët restauruese, ndërrimi i dritareve në etazhe, suvatimi i enterierit, restaurimi i mureve nga ana e jashtme, plotësimi i fugave me llaç çimentoje, adaptimi i hapësirës me pajisjet e rrymës në përdhesë si dhomë e ekspozitës, rregullimi i oborrit, dhe ndërtimi i nyjeve sanitare në oborr. Hapësira në katin e parë është shndërruar në bufe. Në oborr janë vendosur aparate nga elektranat e ndryshme të Kosovës. Pas adaptimit të objektit në muze kjo dhomë është shndërruar në restorant. Muzeu i Energjisë Elektrike i vendosur në një ndërtesë historike “Hidroelektranë” paraqet një shembull unik për Kosovën, për trajtimin e objekteve industriale si trashëgimi kulturore. Muzeu ka funksionuar deri në mes të viteve 1980’ta. Pas një periudhe të gjatë të mungesës së mirëmbajtjes, në vitin 2011 me donacion të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është hartuar projekti i restaurimit nga QRTK Prizren dhe CHwB. Punët restauruese kanë filluar në vitin 2012, me ç’rast janë bërë këto punime: Restaurimi i strukturës së mureve; ndërtimi i kulmit të ri, restaurimi i mureve nga ana e brendshme, konservimi i dritareve dhe derës origjinale në përdhesë, dhe restaurimi i oborrit. Pas përfundimit të punëve restauruese, muzeu planifikohet të rikthehet në funksionin e Muzeut të Energjisë Elektrike. Hidroelektrana me pozitën e saj karakteristike, harmoninë me ambientin rrethues, karakteristikat arkitektonike si ndërtesë me arkitekturë të veçantë të fillimit të shek. XX, dhe me elementet origjinale të ruajtura paraqet një monument me vlerë të madhe artistike, historike, shoqërore, rariteti dhe shkencore jo vetëm për Kosovën, por në përgjithësi për rajonin.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 001425

Emri: Hidroelektrana - Muzeu i Elektroekonomisë

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren (Jabllanicë)

Lokaliteti: Gryka e Lumbardhit, rruga magjistrale Prizren-Prevallë

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës:

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha:

Shekulli: XX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.