Atik Xhamia (Gjilan)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014

Historiku

Atik Xhamia, ndryshe e njohur si Xhamia e Medresesë, është ndërtuar në shekullin XVII. Është xhamia e parë e ndërtuar në qytet. Shënimet flasin për përfundimin e punimeve në vitin 1606, por hasen edhe shkrime që flasin për vitin 1609. E rëndësishme është se Atik Xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XVII. Themelimi i Gjilanit si qendër rreth vitit 1750 bie ndesh me vjetërsinë e Atik Xhamisë. Një xhami e tillë nuk mund të ndërtohej në një vendbanim jo strategjik dhe të pazhvilluar ekonomikisht për kohën. Si e tillë, xhamia sjell dëshmi për një qytet më të vjetër se ç’konstatohet për Gjilanin. Paraqitja e Gjilanit me emrin Gilan që në vitin 1423 si fshat nuk duhet tejkaluar shpejtas. Xhamia ka sallën e lutjeve dhe minaren, ndërsa hajati, dikur funksional, është prishur në vitin 1993, kur ndërtohet një aneks, i cili i bashkëngjitet objektit të xhamisë duke u bërë pjesë integrale e tij. Xhamia është ndërtuar me material të ndryshëm: gurë, tulla, hatulla vertikale dhe horizontale, llaç gëlqereje dhe thupra të shtypura (shtupë). Materialet e këtilla të dyzuara kanë ndikuar në qëndresën e objektit për qindra vite me radhë. Salla e lutjeve i ka të gjitha pjesët përbërëse të saj si: mihrabin, mimberin, kursinë ose qyrsin dhe mahfillin. Hyrja për në sallën e lutjeve bëhet nëpërmjet aneksit nga ana perëndimore. Mihrabi është trajtuar me piktura murale me motive florale ku dominon ngjyra kafe. Mimberi është i vendosur në të djathtë të mihrabit, është punuar me drugdhendje me motive të ndryshme gjeometrike. Qyrsi është i vendosur në kënd të majtë të mihrabit dhe nuk është funksional. Mahfilli nuk është i vjetri, por është rindërtuar me një gardh nga druri. Minarja gjendet në murin jugor, ka bazë dhe trung rrethor. Në pjesën e sipërme gjendet sherefeja e dekoruar me motive gjeometrike. Minarja mbulohet me kylah në formë konike. Baza e minares është punuar nga gurë të gdhendur dhe nuk është e suvatuar, kurse trupi është i suvatuar nga jashtë. Enterieri i Atik Xhamisë është i pasur me piktura murale. Në kupolën e Atik Xhamisë ndodhet brezi me tetë hapësira, në të cilat janë të hapura tetë dritare katrore nga brenda ndërsa me gjysmëhark nga jashtë. Në këto tetë hapësira zënë vend pikturat murale, të cilat paraqesin vlera shumë të çmuara të kulturës islame në këto troje. Dekorimet e pikturave janë me motive bimore, që i takojnë stilit turk ose atij persian. Gjatë restaurimit të bërë në pikturat murale, nga piktorët Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi, janë futur elemente të traditës shqiptare. Në sipërfaqen e mureve anësore të sallës së lutjeve janë punuar rozeta me motive të ndryshme, ku vërehen forma e patës, llambës, dhe dritës e cila shpërndahet në formë të rrezeve të diellit. Në oborr të xhamisë ndodhej shatërvani si dhe objekti ku laheshin kufomat. Në vend të tyre tani janë ndërtuar ndërtesat përcjellëse, lokalet dhe medreseja.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000066

Emri: Atik Xhamia

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjilan

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjilan

Qyteti/Fshati: Gjilan

Lokaliteti: Gjilan

Kodi Postar: 60000

Emri i rrugës: "Zija Shemsiu" 118

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVII

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.