Kulla e Astrit Tahsum Kryeziut (Gjakovë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014

Historiku

Kulla e Astrit Tahsum Kryeziut gjendet në kompleksin e quajtur ”Bregu i Sarajeve”, në bërthamën e “Çarshisë së Madhe”, e ndërtuar rreth shek. XVIII-XIX. Gjatë themelimit të qytetit të Gjakovës, pas ndërtimit të disa objekteve vitale, ka filluar ndërtimi i kompleksit ”Bregu i Sarajeve”, gjatë shek. XVII-XVIII. Në këtë kompleks kanë qenë tri kulla të vjetra përballë kullës së Tahsum Kryeziut, të cilat janë shkatërruar gjatë luftërave ballkanike (1910-1912). Kullat e shkatërruara fillimisht kanë luajtur rol fortifikimi d.m.th. aty kanë qenë të vendosur ushtarët shqiptarë për mbrojtjen e qytetit, ndërsa kulla e Tahsum Begut ka shërbyer për banimin e familjarëve. Gjatë luftës së fundit, të vitit 1999, forcat serbe kanë shkatërruar kullën e Albehar Kryeziut, e cila ka qenë në jug të kompleksit dhe ka luajtur rolin e vëzhgimit të “Sarajit”. Gjatë kësaj lufte është shkatërruar edhe kulla e Iljaz Kryeziut, që do të thotë që prej gjithë kompleksit të “Sarajit” ka mbetur vetëm kulla e Tahsum Beut. Pozita dhe vendi ku është ndërtuar ky objekt e bën atë të dalluar nga të gjitha anët e qytetit (së bashku me Xhaminë e Hadumit), që ka qenë e kompozuar edhe me objektet e tjera përreth, si: kulla e Laz Begut, Sarajet, Kulla e Sahatit dhe dyqanet. Etazhiteti është: përdhese plus dy kate. Duke shikuar në bazë, objekti është i ndarë në dy objekte që kanë simetri të njëjtë. Përdhesja e ka formën drejtkëndëshe, ku në lindje dhe perëndim zgjerohet me anekse tetëkëndëshe që formojnë çardakun duke i dhënë një dukje impozante. Përdhesja është ndërtuar me mure nga gurë të renditur dhe të lidhur në mënyrë të rregullt në mbarë perimetrin e objektit me trashësi 80 cm, ku ekzistojnë hapjet për hyrje kryesore dhe ekonomike dhe njëherit disa hapje për ndriçim, me përmasa të vogla dhe me parapet të lartë. Funksioni primar i përdhesës ishte i dedikuar për banim, ndërsa me kohë funksioni i saj ka ndryshuar kështu që sot vetëm gjysma e kullës nga ana perëndimore përdoret për banim, ndërsa gjysma tjetër përdoret si depo. Kati i parë është ndërtuar nga muret me tulla të pjekura, me trashësi 60 cm, të renditura në mënyrë të rregullt me llaç gëlqeror, ku ekzistojnë shumë hapje nëpër mure të jashtme. Hapësira e brendshme ndahet me mure nga tullat e pjekura. Funksioni i katit të parë është i dedikuar për mysafirë dhe për fjetje, si dhe për qëndrim ditor. Kati i dytë është i ndërtuar njëjtë sikurse kati i parë. Funksioni i katit të dytë është i dedikuar për qëndrim ditor dhe fjetje. Konstruksioni i ndërkatit është nga trarë druri me dysheme nga dërrasat. Konstruksioni i kulmit është i punuar nga druri, i mbuluar me tjegulla tradicionale. Karakteristikë te kulmi është se kulmi mbështetet nëpër mure të jashtme, pushon në strehën e punuar zigzag, me tulla të pjekura shumë dekorative që duket si anëcak prej mureve të jashtme. Duke i shikuar fasadat e këtij objekti hasim në shumë elemente dekorative: hapje të dyerve janë të punuara me gurë masivë të gdhendur duke përfunduar me gjysmëharqe. Dritaret, gjithashtu, janë punuar me tulla të pjekura me përfundim gjysmëharkor. Kjo kullë konsiderohet si një ndër kullat më impozante dhe më të mëdha jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe më gjerë. Me qëllim mbrojtjeje të këtij objekti, gjatë vitit 2014 janë kryer disa punime konservuese – restauruese në kulmin e objektit dhe pjesërisht në fasadë.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000819

Emri: Kulla e Astrit Tahsum Kryeziut

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjakovë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjakovë

Qyteti/Fshati: Qytet-Gjakovë

Lokaliteti: "Bregu i Sarajeve"- Çarshia e Madhe

Kodi Postar: 50000

Emri i rrugës: Abedin Terbeshi

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.