KISHA KATOLIKE E SHËN ANTONIT (SHËN NDOUT) (Gjakovë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014

Historiku

Kisha e Shën Ndout gjendet në "Rrugën e katolikëve”, përballë Kishës së Shën Palit dhe Shën Pjetrit, në Gjakovë. Kisha e parë ishte ndërtuar më 1882 dhe quhej Kisha e Patër Milës, por ajo u shkatërrua më vonë. Më 1931, Patër Lorenc Mazreku e ndërtoi në të njëjtin vend kishën e sotme. Kjo kishë u quajt "Shënjtorja e Shën Antonit të Padovës" ose ndryshe "Kisha e Shën Ndout". Kjo kishë u rinovua disa herë, me ç'rast iu bashkëngjitën edhe konaqet, zyrat, nyjat sanitare, por duke iu përmbajtur arkitekturës origjinale. Kisha i takon tipit të kishave me një nef drejtkëndësh dhe me dy kambanore. Me boshtin e saj gjatësor, kisha është e orientuar në drejtimin perëndim – lindje. Hyrja në objekt gjendet në anën perëndimore dhe është e theksuar me dy kambanore. Dera në hyrje të kishës është e thjeshtë dhe pa dekorime të portalit që përfundon me hark. Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe prej hapësirës së altarit me sakrastine. Enterieri në kuptimin arkitektonik është i pastër dhe i dukshëm me bazë drejtkëndore dhe gati simetrik. Në anën jugore të Kishës është i bashkangjitur aneks objekti i administratës. Në vazhdim të nefit gjendet hapësira e altarit me bazë katrore dhe altari, i cili paraqet elementin dominues të kompozicionit të enterierit. Kambanoret janë të vendosura në anën lindore dhe theksojnë hyrjen në kishë. Kulmi i tyre është i thjeshtë – katërujor. Enterieri i sotëm i kishës nuk është në gjendjen origjinale të saj pasi që në fillim të viteve ‘90 janë kryer punime në brendinë e kishës (ka ardhur gjerë te përdorimi i materialeve të reja si mermer dhe qeramikë). Fasadat e kishës kanë një arkitekturë të pastër jo të ngarkuar me detale, ku vlen të ceket sidomos përfundimi i hapjeve me gjysmëhark. Karakteristikë tjetër në këtë objekt është që përfundimi i çdo pjese të objektit në lartësi përfundon me nga një dekor të thjeshtë, në një ritëm të rregullt. Hapjet e dritareve janë të rregulluara në një rresht nga katër dritare në çdo anë (fasada veri dhe jug).

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000638

Emri: KISHA KATOLIKE E SHËN ANTONIT (SHËN NDOUT)

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Gjakovë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Gjakovë

Qyteti/Fshati: Qytet-Gjakovë

Lokaliteti: "Rruga e katolikëve"

Kodi Postar: 50000

Emri i rrugës: Gjon Nikollë Kazazi

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.