Kompleksi i mullirit të Haxhi Zekës (Pejë)

Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012

Historiku

Kompleksi i Mullirit të Haxhi Zekës Kompleksi Mulliri i Haxhi Zekës gjendet në pjesën veriore të qytetit, afër Tregut të Vjetër. Kompleksi i Mullirit, sipas të dhënave kadastrale të vitit 1934, ishte i gjerë 45 ari. Në aspektin kompozicional ai përbëhej nga mulliri, depoja e miellit, hambari, ahuri i kuajve dhe konaku, i cili përbëhej nga një shtëpi dykatëshe. Nga kompleksi i ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX kanë mbetur vetëm ndërtesa e mullirit dhe ajo e hambarit, të cilat dikur ishin të lidhura me urë dhe konaku i adaptuar për nevoja të banimit. Ky kompleks paraqet objektin e parë industrial të këtij tipi në Kosovë, me mekanizëm për bluarje të importuar nga Austria, i cili në fillim punonte me ndihmën e ujit e pastaj me anë të rrymës elektrike. Mulliri është i punuar në tri etazhe mbi bazë drejtkëndëshe (14x12x10 m). Fasadat janë të punuara nga guri e tullat, me dritare harkore të vendosura në mënyrë ritmike dhe kurorë në fund të etazheve. Brendësia është e ndriçuar shumë mirë. Konstruksioni i dyshemesë dhe kulmi janë të punuara nga druri. Mekanizmi i mullirit është ruajtur pjesërisht, duke përfshirë këtu edhe rrotën e mullirit që gjendet jashtë ndërtesës. Më 2004 mulliri u restaurua. Për momentin ndërtesa është në gjendje të mirë dhe është shndërruar në muze dhe përdoret si qendër e një OJQ-je. Hambari gjendet në pjesën veriore të mullirit përballë hyrjes kryesore. Këto dy ndërtesa kanë qenë të lidhura me urë të drurit në etazhin e sipërm për ta kryer funksionin e vet. Hambari ka bazë drejtkëndëshe (15x7 m) dhe është i ndërtuar në tri etazhe. Muret e katit përdhese janë të punuara me gurë lumorë. Fasada ballore ka më së shumti elemente origjinale, tri dritare dhe dy dyer. Dritaret janë gjysmëharkore nga gurë të përfunduara me qemer tullash. Në njërën fasadë anësore gjendet edhe një dritare e ngjashme me ato të fasadës ballore. Kati përdhese si dhe këto dy fasada janë strukturat e vetme origjinale të mbetura të ndërtesës. Muret e katit të parë dhe të dytë të hambarit janë të punuara me tulla të reja. Kulmi ri i dyujor ka konstruksion druri dhe është i mbuluar nga tjegullat e reja. Konstruksioni i drurit i ndërtuar më vonë, duke u bazuar në atë origjinal, e ndanë hapësirën e brendshme në tri etazhe. Gjendja fizike e përgjithshme e hambarit është mjaft e keqe dhe si i tillë është jashtë përdorimit.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000008

Emri: Kompleksi i mullirit të Haxhi Zekës

Klasa: N.A.

Institucioni: QRTK – Pejë

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Pejë

Qyteti/Fshati: Qytet Pejë

Lokaliteti: Mulliri i Haxhi Zekes

Kodi Postar: 30000

Emri i rrugës: Rr.Muharrem Sahara

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Moderne

Shekulli: XIX

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.