Mirësevini në Trashëgiminë Kulturore të Kosovës

Databaza e trashëgimisë kulturore është një trashëgimi në vete. Pashmangshëm, trashëgimia kulturore është një nga vlerat unike të një vendi. Evidentimi i trashëgimisë kulturore, sikurse edhe ruajtja dhe promovimi i saj, kërkon një angazhim të të gjithë aktorëve të përfshirë, institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Vizioni i Republikës së Kosovës është që trashëgiminë kulturore ta sheh dhe promovojë si një vlerë që na bashkon. Diversiteti i saj është një pasuri për ne.

Republika e Kosovës po e krijon për herë të parë databazën e trashëgimisë kulturore. Krijimi i saj dhe vënia në qasje për publikun e gjerë do të thotë shumë për promovimin dhe edukimin, për të kaluarën tonë, të shprehur në forma të ndryshme. Databaza, gjithashtu, do të jetë një pikë referuese dhe informuese për shumë institucione shtetërore qendrore e lokale, si dhe shoqërinë civile, në punën e tyre që mund të lidhet me trashëgiminë kulturore. Databaza do të ofrojë informacione përmbajtësore për çdo monument, çdo lokalitet arkeologjik, trashëgimi shpirtërore, të luajtshme etj.

Qëllimi kryesor i databazës nuk është vetëm lansimi i saj por edhe mirëmbajtja. Kjo hapësirë do të jetë në shërbim çdo herë për secilin individ që dëshiron të mësojë më shumë për atë se si ka udhëtuar populli ynë nëpër vite, karakteristikat e monumenteve, vendet ku ndodhen ato etj. Databaza do të përditësohet me informacione shtesë, për çdo lloj të trashëgimisë.

Edhe në Kosovë, trashëgimia kulturore është një ndër elementet më të rëndësishme dhe pjesë përbërëse e mjedisit të saj jetësor. Përveç që shfaq vërtetësinë e identitetit të shoqërisë dhe vendit, trashëgimia kulturore njëkohësisht konsiderohet potencial për zhvillime dhe integrime të qëndrueshme shoqërore- ekonomike, në vend, rajon dhe më gjerë. Trashëgimia kulturore përbën një nga pikat kryesore për zhvillimin e turizmit. Në veprimtarinë komplekse për vlerësimin e monumenteve, lokaliteteve arkeologjike, etno-kulturës etj. vend të veçantë zë identifikimi.

Identifikimi përmes përzgjedhjes, ndërmjet të kaluarës dhe të sotmes, sikurse në çdo vend tjetër, edhe në Kosovë, nuk është një akt i vetëm, por një proces i gjatë i cili kërkon një angazhim të shumë institucioneve dhe njerëzve. Mbi të gjitha kërkon durim dhe ekspertizë.

Databaza e trashëgimisë kulturore në Kosovë ofron informacione për një gamë të gjerë të trashëgimisë sonë kulturore dhe ato janë si në vijim.

Mbështetur nga:

Zhvillimi i Databazes është bërë i mundshëm me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e shprehur në të, është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Projekti për zhvillimin e kësaj baze të të dhënave është implementuar nga Fondacioni Suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij - CHwB.
© 2014 / Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.